Këtë mozaik e kam punuar para tre vjetëve. Inspirimi ka ardhur pikërisht nga pritja e nënave kosovare. Mua më kanë prekur shumë këto ngjarje. E kam menduar se pjesë e këtyre grave ka mundur të jetë edhe nëna ime, ka thënë Meka
Pritja titullohet mozaiku i piktorit gjakovar, Alban Meka, që ka zënë vend në shoqatën Thirrjet e nënave.
Ishin themelueset e kësaj shoqate nënat kosovare që presin djemtë dhe burrat e tyre të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë ato që e kishin inspiruar Mekën të niste bashkimin e gurëve të përmasave të vogla. Dy portretet që karakterizojnë mozaikun Pritja, sipas Mekës, janë në pritje të vazhdueshme për të ditur më shumë për fatin e bijve dhe burrave të tyre.
Këtë mozaik e kam punuar para tre vjetëve. Inspirimi ka ardhur pikërisht nga pritja e nënave kosovare. Mua më kanë prekur shumë këto ngjarje. E kam menduar se pjesë e këtyre grave ka mundur të jetë edhe nëna ime, ka thënë Meka.
Kryetarja e shoqatës Thirrjet e nënave, Nysrete Kumnova, ka falënderuar Mekën për dhuratën.
Ne po mendojmë që ky mozaik të vendoset në Varrezat e Martirëve në Kodrën e Çabratit. Këtë do ta bëjmë më 27 prill, kur edhe shënohet Dita e të zhdukurve të Kosovës, ka thënë Kumnova./koha/