Delegacioni i USHT-së, në vizitën e punës që realizoi në Universitetin e Helsinkit u prit nga Prorektori për marrëdhënie me jashtë dhe për projekte shkencore, Kimmo Kontula, si dhe profesori për edukim jetësor, Harri Westermarck.
Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, i shoqëruar nga doc. dr. Bashkim Ziberi, këshilltar i Rektorit për marrëdhënie me jashtë dhe Shefik Shehu përgjegjës i Zyrës për marrëdhënie ndërkombëtare, në fund të muajit të kaluar, qëndruan për vizitë zyrtare në Finlandë.
Delegacioni i USHT-së, në vizitën e punës që realizoi në Universitetin e Helsinkit u prit nga Prorektori për marrëdhënie me jashtë dhe për projekte shkencore, Kimmo Kontula, si dhe profesori për edukim jetësor, Harri Westermarck. Fillimisht, bashkëbiseduesit janë njohur me historikun dhe programet studimore që ofrojnë Universitetet përkatëse dhe po ashtu, për mundësinë e bashkëpunimit në fusha të përbashkëta, siç janë, cikli i parë i studimeve dhe organizimi i ciklit të dytë të studimeve, në fusha të caktuara, si dhe pjesëmarrja në projekte të përbashkëta ndërkombëtare.
Rektori, prof. dr. Agron Reka, para drejtuesve të Universitetit të Helsinkit prezantoi vizionin dhe strategjinë për ndërkombëtarizimin e USHT-së. ,,Universiteti ynë është i interesuar për forcimin e bashkëpunimit në shumë lëmi dhe projekte të ndryshme shkencore, tha me këtë rast Rektori i USHT-së. Vlen të përmendet, se me ndihmën e prof. Westermark është konkretizuar pjesëmarrja e përbashkët në projektin mbi edukimin rural. Delegacioni ynë më pastaj e vizitoi Fakultetin e Teknologjisë së Ushqimit dhe është njohur nga afër me laboratorët për analiza të mishit, drithërave dhe prodhimeve të qumështit dhe është theksuar nevoja për bashkëpunim konkret në këtë fushë, mundësia për aftësimin e kuadrove të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit në kuadër të USHT-së, si dhe qëndrimi i studentëve tanë në kuadër të projektit ERASMUS.
Përfaqësuesit e USHT-së, në kuadër të vizitës në Finlandë, me ftesë të Rektorit, prof. Jussi Halttunen, vizituan edhe Universitetin e Shkencave të Zbatuara, në qytetin Jyvaskyla. Në bazë të agjendës, nikoqirët organizuan edhe prezantimin në detaje për strukturën dhe organizimin e brendshëm të njërit nga universitetet më prestigjioze në shkencat e zbatuara në Finlandë.
Delegacioni i Universitetit tonë, i kryesuar nga Rektori, prof. dr. Agron Reka, ka realizuar edhe takime të tjera si: me drejtuesit e shkollës së mësuesisë Ulla Mutka, shkollës së shëndetit dhe shërbimeve shoqërore Eila Latvia, si dhe ligjëruesen Pirjo Walden, të cilët, për nderë të mysafirëve shtruan darkë solemne.
Më 25 mars, delegacioni i USHT-së zhvilloi një takim të përbashkët pune me Rektorin, prorektorin dhe stafin drejtues të Universitetit JAMK. Rektori i këtij universiteti, fillimisht e ka folur për historikun e Universitetit JAMK, strukturën organizative të tij, të arriturat, si dhe strategjinë e JAMK për të qenë universiteti i parë në Finlandë, deri në vitin 2016. Nga ana tjetër, Rektori, prof. dr. Agron Reka, pasi e përshkroi historikun e USHT-së, i potencoi fushat me interes të ndërsjellë, në të cilat mund të përqendrohet në të ardhmen. Pastaj, përgjegjësit e sektorëve dhe drejtorët e shkollave të mësuesisë, shëndetit dhe shërbimeve shoqërore, i kanë prezantuar programet studimore për fakultetet e caktuara, duke theksuar konkretisht hapësirën e mundshme për bashkëpunim, me ç rast vlen të përmendet shpjegimi mbi bioenergjinë, nga ana e prorektorit Heikki Malinen, për rolin udhëheqës të këtij universiteti në zhvillimin e metodave dhe teknologjive të reja për prodhimin e energjisë elektrike dhe nxehtësisë, për nevojat e rajonit dhe më gjerë.
Kjo vizitë pune, në këtë universitet, rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim, në mes universiteteve nënshkruese, ku parashihet shkëmbimi i kuadrit dhe studentëve, bashkëpunimi në projektet ndërkombëtare, organizimi i punëtorive dhe seminareve të ndryshme. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në emër të dy institucioneve, ata shkëmbyen dhurata simbolike për drejtuesit e universiteteve.
Sipas protokollit, përfaqësuesit e USHT-së realizuan një sërë vizitash dhe takimesh, si në zyrat e administratës, laboratorët e kimisë, informatikës dhe elektroteknikës, më pas në hapësirat e TEAM ACADEMY akademia ekipore (grupore), për ta përmbyllur këtë vizitë zyrtare në Departamentin për Zhvillimin e Energjive Ri-përtëritëse dhe Bioenergjisë, që synon rritjen e efikasitetit energjetik, rritjen e shfrytëzimit të burimeve ripërtëritëse energjetike dhe prodhimin vendas të energjisë.
Vizita zyrtare e Rektorit, prof. dr. Agron Reka, hap dyert e bashkëpunimit shkencor dhe forcimit të marrëdhënieve në mes USHT-së dhe Universiteteve nga Finlanda.