Për rastin e shpërthimit të minës në Sopot në vitin 2003, ku mbetën të vrarë dy ushtarë polak të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil, u dënuan 11 banorë të këtij fshati me mbi 150 vjet burg. Pesë prej tyre vuajnë dënimin në burgun e Idrizovës. Sulejman Sulejmani i dënuar me 14 vjet burg, Samet Lutfiu 14 vjet, vëllezërit Hasan e Zenel Klaiqi me nga 14 vjet dhe Shaban Limani me 10 vjet burg.
Banorët e Sopotit që po vuajnë dënimin në burgun e Idrizovës prej sot kanë hyrë në grevë urie, për të kërkuar lirimin e tyre. Më mirë të na pushkatojnë se sa të qëndrojmë në burg pa asnjë faj, -thonë sopotasit e kontaktuar nga Alsat-M.
I arrestuari i fundit për rastin e Sopotit, Zenel Klaiqi foli për ALSAT-M.
Le ta bijnë ndonjë vendim ose le të na pushkatojnë, ne ndryshe nuk dimë. Ne duam vetëm lirimin tonë se jemi të pafajshëm, janë duke e ditur. Partitë vetë dolën e thanë se është montim politik, ne nuk jemi duke punuar në politikë, ata janë duke punuar në politikë, edhe ata le ta vendosin. Ne duam lirimin tonë. I lusim të na mbështesin, të gjejnë një zgjidhje, e lusim edhe Avokatin e Popullit le të merr masa se janë duke luajtur me shpirtrat e njerëzve të pafajshëm. I lusim partitë politike pa marrë parasysh, pozitë opozitë, le të na ndihmojnë se jemi të pafajshëm, u shpreh i dënuari Zenel Klaiqi.
I dënuari tjetër Samet Lutfiu i bën apel politikës shqiptare të mos i gënjejnë banorët e Sopotit, por të dalë publikisht e të pranojë se nuk mund të na ndihmojë.
Nëse nuk munden me krye punën tonë, atëherë le të dalin ashiqare le të tregojnë se nuk po mundemi me e kry punën dhe do të jemi shumë më të kënaqur, e jo kështu me na gënjye tërë ditën. 100 vjet na e kanë bërë një ditë, le të tregojnë nuk po mundemi me kry shumë më të kënaqur jemi, ose le ta bllokojnë vëlla Qeverinë si e bllokojshin për të hy në Qeveri atëherë, edhe tash mund ta bllokojnë, le të dalin të tregojnë nuk po mundemi me kry, ok, marrim tjetër rrugë vëlla. E lusim edhe popullin le të na ndalin në ndihmë se valla nuk kemi faj edhe e dinë shumë mirë ata vet i kanë dokumentet krejt kush është fajtor kush nuk është fajtor, theksoi i dënuari Samet Lutfiu.
Për rastin e shpërthimit të minës në Sopot në vitin 2003, ku mbetën të vrarë dy ushtarë polak të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil, u dënuan 11 banorë të këtij fshati me mbi 150 vjet burg. Pesë prej tyre vuajnë dënimin në burgun e Idrizovës. Sulejman Sulejmani i dënuar me 14 vjet burg, Samet Lutfiu 14 vjet, vëllezërit Hasan e Zenel Klaiqi me nga 14 vjet dhe Shaban Limani me 10 vjet burg.
Ndërsa, në mungesë janë dënuar edhe 6 banorë të tjerë të Sopotit: Shaqir Sulejmani, Selman Jahiu, Samet Limani, Afrim Ukshini, Bashkim Ukshini dhe Musa Klaiqi, që të gjithë të dënuar me nga 15 vjet burg. Së fundi Gjykata e Apelit, e cila shqyrtoi rastin e Sopotit për personat e dënuar në mungesë, vërtetoi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, përkatësisht fajësinë e tyre. Avokatët paralajmëruan se do të ankohen edhe në Gjykatën Supreme të Maqedonisë./Shkëlzen Aqifi/