Papritur, Sandrelli jo vetëm debuton si regjisore, për më tepër me një film biografik epoke me kostume ("Christine-Cristina" në salla italiane prej 7 majit) për jetën e poeteshës që interpretohet nga e bija Amanda.
Alessandra Mammi
I ka thënë "jo" Coppola-s dhe Fellini-t. Tani realizon një film si regjisore për një poeteshë të Treqindës. Zonja e kinemasë italiane rrëfehet. Bisedë me Stefania Sandrelli-n.
Çfarë ka të përbashkët një poeteshë joreale manastiri e treqindës, me këtë zonjë me bluzë të gjelbër mëndafshi të zhytur në një divan ngjyrë kremi, të butë si zëri i saj?
Çfarë e lidh pra Cristina da Pizzano-n, e para grua e cilësuar "njeri i letrave", vargëzuese e dashurisë njerëzore, me të papërmbajtshmen Stefania Sandrelli, ikonë seksi për thuajse gjithë kinemanë italiane të filmit autor? Një yll që qysh 16 vjeç pushton ekranet falë veshjeve sensuale tek "Federali" i Pietro Germi-t dhe tani ka të ngjarë të fitojë një "David" si nënë po aq sensuale tek "La prima cosa bella" të Paolo Virzì-së.
E pra, papritur, Sandrelli jo vetëm debuton si regjisore, për më tepër me një film biografik epoke me kostume ("Christine-Cristina" në salla italiane prej 7 majit) për jetën e poeteshës që interpretohet nga e bija Amanda.
Një shkrimtare e baladave për dashnorë dhe dama, gjithnjë e fshehur nën tunikë që nuk i zbulon as kyçin e këmbës. Ç'ka të bëjë me ju, zonja Sandrelli?
Lexon vargje: Kristina nuk ishte vetëm një tip i mbyllur, ishte një krijesë pasionante, e aftë të provonte rrahje të forta të zemrës. Njëlloj si unë.
Imazhi juaj është më pak platonik.
Nuk duhet ndonjë kushedi për të bërë kikiriki. Mjaft kam bërë dhe unë dhe do doja të bëja akoma. Por rrahjet... gjithnjë janë të mrekullueshme, ca më tepër kur është fjala për një periudhë të rëndë si Mesjeta.
Kristinën e kam takuar rastësisht, në librari. Kërkoja dhurata për Krishtlindje dhe papritur shoh kopertinën e një libri, ku ishte portretizuar ajo në një miniaturë antike. Diçka ndjeva në zemër. Ja, libri është fajtor.
Por ky është një libër serioz akademik.
Po pastaj? Unë lexoj ç'të jetë. Jam lexuese bulimike. Ky libër më mbeti në zemër dhe pastaj, kur vendosa që të bëj film, bleva të tjerë që bëjnë fjalë për të dhe për poezinë mesjetare.
Ishte poezia mesjetare që ju shtyu të kalonit në anën tjetër të kamerës?
E cili aktor nuk dëshiron që herët a vonë të kalojë në anën tjetër? Të shohësh në vend që të të shohin? Të drejtosh aktorë të tjerë është një tundim i parezistueshëm.
Është gjëja më e rëndësishme për një film?
Jo. Gjëja më e rëndësishme për një aktor dhe për suksesin e filmit është një skenar i mirë. Më besoni?
Si mos t'ju besosh me atë curriculum që keni ju...
Vërtet, pa filluar mirë dhe vjen Oscar-i për skenarin i "Divorzio all'italiana". Kështu ndodhi që një ditë, më thirri Fellini për një personazh të vogël te "Giulietta degli Spiriti". Shkoj atje dhe ai fillon e flet, e flet, duke treguar për këtë personazh.
Pak gjë kuptova se ç'donte nga unë, atëherë e pyes: "Po skenari?". "Me mua nuk të hyn në punë", përgjigjet. I them: "Po ç'do bëj unë? Shkopin në duart në dirigjentit?".
Mos thoni tani se i keni thënë jo Fellinit...
As që mendohej. Me hir a pa hir, më thoshte agjenti, te Fellini do shkosh. Rasti e desh që të bija shtatzënë me Amandën, kështu që nuk mund të bënin dot gjë. Por po qe për këtë, i kam thënë jo Coppola-s.
Francis Ford-it? Kur?
Të gjitha propozimeve nga Hollivudi - dhe kam pasur propozime të rëndësishme që nga Sidney Lumet te Billy Wilder - merrnin fund keq sepse nuk e flisja korrekt anglishten. Pastaj vjen Coppola që më kërkon për një rol tek "Padrino" ku duhej të flisja saktë italisht. Më propozoi goxha para. Por kur lexoj skenarin mësoj se personazhi ishte praktikisht i njëjtë me "Sedotta e abbondonata", përfshi vizitën e mamit për të zbuluar në isha e virgjër.
"Dhe jo!", them. Isha tashmë virgjëreshë e kinemasë italiane, dhe virgjëreshën në kinemanë ndërkombëtare kishim mangët. Refuzova. E di: ishte Coppola, ishte "Padrino" por unë gjithnjë u kam ikur klisheve. Kam nevojë për entuziazëm për të hyrë tek personazhi, për t'u marrë me të fizikisht. Fiziku, për mua është shumë i rëndësishëm.
Nëna Natyrë sigurisht ju ka ndihmuar.
Nuk mjafton. Duhet të rrezikosh. Vërtet kam guxim....
Si në moshën 37-vjeçare kur pranuat një film me një shkallë të lartë erotike? Nuk qe e rrezikshme të xhiroje "La chiave" të Tinto Brass-it? [/b]
Mund të kishte qenë varri i karrierës sime. Por ishte një histori e mrekullueshme e shkruar nga Tanizaki.
E fortë dhe tipike femërore, një portret gruaje që punon në rrugë. Po jua them se nuk e kam bërë as për para. Jam paguar pak. Nga ana tjetër nuk kam ndërtuar një karrierë mbi tryezë, kam ndjekur instinktin, dëshirën për të marrë pjesë në një film të bukur, nuk ka rëndësi me një rol të madh apo të vogël. Prandaj karriera ime është një triumf, një yllësi me shumë filma të bukur.
Si e kuptoni nëse do të jetë një film i mirë?
Do të jetë një film i mirë për mua, nëse do të më lejojë të matem me gjëra të rëndësishme të jetës së një gruaje. Përfshirë edhe seksin.
Si Adriana, proto-escort tek "Io la conoscevo bene"?
Mos e përkufizoni kështu. Ishte botë tjetër! Kishte më tepër elegancë e madje një projekt ishte më njerëzor se sot.
Është e vërtetë: një punëdhënës të qepej; sekretari ofronte vajza dhe pak seks për t'i hyrë në zemër producentit, por biznesi nuk ishte si tani. Nuk arriti deri në një komercializim shkencor me katalogë dhe përmasa. Besoj se kjo periudhë do të mbetet në histori si një nga momentet më poshtërues për gratë.
Jeni feministe, zonja Sandrelli?
Domosdo, përderisa në kohë të tilla me kaq shumë përçmim për kulturën, ia dola të bëj një film për Kristinën: grua, intelektuale, kokëfortë, e guximshme e madje edhe provokuese. Pastaj kam në curriculum edhe një manifest për feminizmin: "Io sono mia i Sofia Scandurra-s. Kurrë s'kanë qeshur aq shumë gratë në sheshxhirim.
Punohet mirë me gratë?
Po, por edhe me burrat. Ndryshimi është se një regjisor të vështron, ndërsa një regjisore të jeton. Me të parin krijohet një lidhje, një kordon ombelikal; e dyta e ndjen thellë në vete, është si një shkrirje. Pikërisht një gruaje, Francesca Archibugi-t, ia detyroj të parin dhe të vetmin "David" si protagoniste për "Mignon è partita".
Të dytin ka të ngjarë ta fitoni falë një burri. Anna Nigiotti in Michelucci te "Prima cosa bella" e Virzì-së më shumë se interpretim është tërësia e gjithë interpretimeve tuaja.
"Vërtet! Një peronash i ndërtuar për mrekulli.
Është një Anna e veçantë e ndarë mes dy aktoreve, mes meje dhe Michela Ramazzotti-t. Është kërkuar që të kandidojmë së bashku, por statuti nuk e lejon. Nëse e fiton vetëm njëra, fitorja është përgjysmë, apo jo?
E çuditshme po të gjykosh për një ikonë të kinemasë italiane si ju.
Ikonë,... tashmë e lexoj, gjithkund. Thellë me pëlqejnë imazhet prej madone, por tani më ndodh që të më quajnë "monument" të kinemasë italiane. Jo deri këtu, ju lutem, jo monument. Nuk e shoh veten ashtu. Më premtoni që ju nuk do ta shkruani?
Diçiturat:
Imazhe nga prova për filmin "Io la conoscevo bene"
Sandrelli dhe Ugo Tognazzi te "Io la conoscevo bene"
Me Tognazzi-n kam bërë filmin tim të parë "Il federale". Ishte sukses i madh dhe na solli fat të dyve. Aty e nisa unë, kurse si do të çlirohej nga dyshja komike Tognazzi-Vianello dhe nisi karrierën e tij të vërtetë si aktor.
Sandrelli dhe Vittorio Gassman
Në një batutë të filmit "C'eravamo tanto amati" të Ettore Scola-s, Stefania Sandrelli i thotë Vittorio Gassman-it: "Ishin kohë të vështira, ishim të varfër por të lumtur, siç thonë të kamurit... Kishim plane: të martoheshim, të blinim një Lambretta, të bënim fëmijë, jo tamam sipas kësaj radhe."
Sandrelli tek "Sedotta e Abbandonata" të Germi-it
"Germi ishte poet i vërtet i kamerës: jetonte në sheshxhirim, gëzohej dhe vuante para dhe pas xhirimeve. Ka menduar ndonjëherë se Italia dhe publikun do ta harronin shumë shpejt, ndërkohë që jashtë është vlerësuar "një mjeshtër".
Ishte Germi ai që më bëri ta kuptoj deri në fund pasionin tim për zanatin e aktores: unë isha një fëmijë e dashuruar pas spektaklit, ëndrrave, kinemasë, dhe ai më ndihmoi që të shprehesha."
Sandrelli dhe Nino Manfredi tek "C'eravamo tanto amati"
"Kam pasur fat që kam punuar me regjisorë të nivelit të lartë, por ai që ndoshta më ka kuptuar më shumë dhe të cilit i kam besuar më shumë është Ettore Scola. Sot akoma kur dyshoj për diçka ose kam nevojë për këshillë, i telefonoj."
Me Mastroianni-in në sheshxhirimin e "Divorzio all'italiana"
"Pothuajse gjithçka që kam mësuar, e kam mësuar në sheshxhirim. Shumicën falë regjisorëve, pjesën tjetër duke përgjuar partnerët e mi, të gjithë të zotë. Por Mastroianni ishte i vetmi: atë e vidhja edhe kur flinte."
Imazhet: Courtesy Archivio S. Sandrelli dhe S. Ferragina dhe nga Archivio Cineteca Nazionale.
Marrë me shkurtime nga "La Repubblica"