Komisioni pret që vendi të plotësojë kërkesat e BE-së në këto fusha, ndërsa konsideron se për përmbushjen e tyre, ligji i sapo votuar për anti-diskriminimin do të duhet të ndryshojë në mënyrë që të ndalojë në mënyrë të hapur diskriminimin mbi bazat e orientimit seksual, përfundon komunikata për shtyp.
Komisioni Evropian i bën thirrje Maqedonisë që të garantojë përputhjen e ligjit për anti-diskriminimin me legjislacionin evropian. Në një komunikatë për shtyp të lëshuar nga zyra e Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule, një javë pas votimit të ligjit nga mazhoranca në vend, kësaj të fundit i përkujtohen rregullat e BE-së.
Në legjislacionin e Unionit, nëpërmjet direktivave 2000/43 dhe 2000/78, rregullat mbi anti-diskriminimin përfshijnë edhe orientimin seksual, nënvizohet ndër të tjera në komunikatë, ku saktësohet se këto rregulla përfshijnë sektorë si punësimi, akcesi në shërbimet sociale dhe të tjera. Komisioni pret që vendi të plotësojë kërkesat e BE-së në këto fusha, ndërsa konsideron se për përmbushjen e tyre, ligji i sapo votuar për anti-diskriminimin do të duhet të ndryshojë në mënyrë që të ndalojë në mënyrë të hapur diskriminimin mbi bazat e orientimit seksual, përfundon komunikata për shtyp.
Një ditë para kësaj komunikate, Komisioneri u pyet se çfarë mendon për ligjin e votuar nga mazhoranca por edhe për komentet e ministrit të jashtëm Milloshoski se kritikat që vijnë nga Brukseli janë vetëm ideologjike dhe i përkasin vetëm partive të majta dhe liberale e jo BE-së. Unë qëndroj pas letrës që i kam dërguar Kryeministrit Gruevski para votimit të ligjit, u përgjigj prerë Komisioneri Fule.
Para votimit të këtij ligji mazhoranca në vend nuk dëgjoi mesazhet e njëpasnjëshme të ambasadorit Fuere po as letrat e euro-deputetëve dhe atë të Komisionerit, ndërsa vendi do të jetë i detyruar ta ndryshojë ligjin për ta përputhur atë plotësisht me legjislacionin evropian.
Ernest Bunguri
BRUKSEL