Ky titull u ndahet personaliteteve më të njohura për rezultate shkencore dhe për të mirën e njerëzimit. Zotëri president kam kënaqësinë e veçantë tu informoj se Universiteti ynë si institucion mësimor dhe shkencor ka bërë hapa të mëdha dhe të vendosur për të qenë pjesë e zhvillimeve të dijes, kulturës dhe artit, vlerësoi Agron Reka, rektor i USHT-së.
Universiteti Shtetëror i Tetovës, sot shënoi një ngjarje, e cila do ta nderonte çdo universitet. Pas Vendimit të Senatit të Universitetit, të datës 12.04.2010, sot në mënyrë solemne dhe mjaft madhështore Presidentit të Republikës së Shqipërisë, prof. dr. Bamir Topi, iu nda titulli Doctor Honoris Causa.
Manifestimi i sotëm, në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të jetës politike, ambasadorë, profesorë, si dhe mysafirë të shumtë, të cilët kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë ngjarje të madhe në USHT, filloi me intonimin e himnit të universiteteve ,,Viva academia, viva profesores, nga ana e Korit kamertal të USHT-së.
Në fillim të manifestimit, Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, tha se: ,,Ky titull u jepet personaliteteve më të larta, për rezultatet shkencore dhe kontributin e tyre për të mirën e njerëzimit. Kjo ngjarje është një moment i rëndësishëm për këtë institucion të lartë arsimor në RM-së, theksoi rektori Reka.
Për jetëshkrimin e laureatit, Prof. dr. Bamir Topi, foli prorektori për arsim i USHT-së, prof. dr. Ismail Ahmedi, i cili njëherësh ishte edhe laudator i këtij akti solemn. Profesori Ismail Ahmedi, ndër të tjera tha se prof. dr. Bamir Topi ka arritur shumë rezultate shkencore, duke i zhvilluar aftësitë e tij profesionale dhe shkencore në institucionet më të njohura në SHBA, Zvicër, Itali, si dhe shtete të tjera të Evropës.
Në këtë manifestim, prorektori për shkencë i USHT-së, doc. dr. Reshat Qahili, e lexoi Vendimin e Senatit të USHT-së, duke thënë se ky titull i jepet Presidentit Topi për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm, për krijimin e kushteve për paqe, për ruajtjen e vlerave dhe të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar, për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit, të shkencës dhe të lirive akademike, ndërsa më pas, Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, Presidentit të Shqipërisë, zotëri Bamir Topit i ndau titullin "Doctor Honoris Causa.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamit Topi, pas marrjes së titulli, para një auditori të gjerë, u shpreh: Titulli që mora sot është një titull i lartë i një universiteti më të ri shqipfolës në RM. Ky titull më shton një motiv më shumë për të qenë më afër këtij universiteti. Ky titull që mora do të mbetet në memorien time në jetë të jetëve.
Rektori i USHT-së, prof. dr. Agron Reka, duke e falënderuar Presidentin Topi për fjalët e tij, theksoi se: Studentët, profesorët dhe të gjithë punonjësit e USHT-së, janë mirënjohës për punën dhe përkushtimin në afirmimin e kauzës sonë kombëtare dhe kontributin e Presidentit Topi në promovimin e vlerave akademike dhe shkencore. Sugjerimet Tuaja për ne do të mbeten udhërrëfyes për realizimin e misionit mësimor e shkencor në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Topi, ndërkohë inkurajoi forcimin e bashkëpunimit edhe me universitetit e rajonit.
Unë e veçova këtë emocion të ditës së sotme sepse ky emocion lidhet jo vetëm me praninë në këtë auditor të nderuar, por lidhet edhe me një nostalgji të jetës akademike. Pa dyshim këtë emocione forcohen kur e merr këtë titull të lartë në USHT, që është njëri nga universitetet më të rinj shqipfolës, me një profesorat të nderuar që operon me një kurikulum i cili shkon drejt standardeve më të larta të kurikulës universitare evropiane, nënvizoi presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve akademike, politike e kulturore dhe pati një koncert me korrin e USHT-së dhe interpretimet e violinistëve Sihana Badivuku dhe Blerim Grubi.