Ata dy arkitektë u shprehën se ai projekt nuk mund të zbatohet pa bashkëpunimin e qeverisë dhe opozitës, dhe unë ju shpreha gatishmërinë time për bashkëpunim, tha Berisha
Pas vizitës së suksesshme në Bruksel, kryeministri Sali Berisha u shpreh se është i gatshëm të zhvillojë sërish një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama për procesin e integrimit.
Jam i gatshëm të takohem me kryetarin e opozitës, Edi Rama, në çdo moment, për të mos penguar procesin e integrimit dhe liberalizimit të vizave, tha Berisha për mediat.
Ai shtoi se nuk besonte se opozita do të bëhej pengesë për liberalizimin e vizave. Nuk besoj se opozita do të bëjë kalë beteje bllokimin e liberalizimit dhe integrimit. Jam i gatshëm të ulem që nesër me Ramën, në çdo orë dhe moment për të bashkëpunuar për këto projekte të rëndësishme për vendin, tha kreu i qeverisë shqiptare.
Berisha ka cekur edhe ndërtimin e sheshit Skënderbej, i kthyer së fundi në një debat të gjerë politik dhe publik, duke siguruar se ishte i gatshëm të zhvillonte një takim me Ramën edhe për këtë çështje. Për këtë arsye, kryeministri ka deklaruar se ka zhvilluar një takim me arkitektët belgë që kanë hartuar planin për ndërtimin e qendrës së kryeqytetit shqiptar.
Ata dy arkitektë u shprehën se ai projekt nuk mund të zbatohet pa bashkëpunimin e qeverisë dhe opozitës, dhe unë ju shpreha gatishmërinë time për bashkëpunim, tha Berisha.