E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Rrëfimi është vetëm një ilustrim i një pjese të përditshmërisë maqedonase në biznesin profitabil tregti me njerëz. Rrëfime të këtilla si kjo e K.T. me siguri ka shumë, por nuk përfundojnë të gjitha në spital. Shumë prej tyre mbeten të pazbuluara ose hyjnë në statistikën e MPB-së, ose të ndonjë organizate joqeveritare dhe këtu mbeten – vetëm si statistikë
Banesat zėvendėsojnė baret


“Gjithnjë e më i madh është numri i vajzave nga Maqedonia që paraqiten te ne si viktima të tregtisë. Tmerron fakti që edhe kufiri i moshave është zvogëluar. Viktima janë vajza të moshës prej 14 deri 24 vjeç”, shprehen në Porta e Hapur. Këto vajza në pjesën më të madhe rrjedhin nga Maqedonia lindore dhe qendrore, ndërsa më pak nga pjesa perëndimore para së gjithash, siç shprehen, për shkak të faktit se vajzat e pjesës perëndimore “dinë më shumë për këtë biznes, meqë më shpesh i shikojnë”. Sipas strukturës nacionale, më së shumti janë maqedonase dhe rome, ndërsa ka edhe shqiptare
“Makroja i saj i fundit, banori 25-vjeçar i Gostivarit, ka dyshuar se ajo është shtatzënë, pandërprerë e ka rrahur, e ka maltretuar seksualisht, që në fund ta kthejë në Strumicë, në spital, me lëndime të rënda trupore.
“Ka thyerje të brinjve të kraharorit, edhe atë prej brinjës së shtatë deri në brinjën e njëmbëdhjetë të anës së djathtë të kraharorit dhe prej brinjës së tetë deri në brinjën e dhjetë të anës së majtë të kraharorit. Shihen edhe të enjtura dhe janë konstatuar edhe lëndime të gjenitalieve, ndërsa është konsultuar edhe një gjinekolog”, deklaroi Aco Vitanov, kirurg në spitalin e Strumicës.
Pas zbulimit të rastit, vajza i ka paraqitur katër personat e përzier në zinxhirin e tregtisë me njerëz, viktimë e të cilit ka qenë.
Ky rrëfim i shkurtër gazetaresk, i botuar nga fundi i gushtit të vitit të kaluar, me fjalorin policor duket kështu:
“Katër të pandehurit S.M. (49) nga Strumica, A.N (47), SH.N (40) dhe L.M (25) nga Gostivari janë të dyshuar se prej fillimit të muajit korrik deri më 20 gusht të vitit 2004 së pari e kanë mashtruar, e më pas e kanë detyruar në postitucion T.K (26) nga Strumica.
Me kërkesë të A.N dhe SH.N, pronarë të kafenesë në Gostivar, S.M ka hyrë në kontakt me të dëmtuarën dhe i kanë ofruar punë në Gostivar.
Kur e kanë dërguar në Gostivar, T.K së pari ka punuar në kafenenë e të pandehurit të parë dhe të dytë, ku ka ofruar edhe marrëdhënie seksuale.
Më pas për një vlerë të caktuar parash, T.K i është shitur L.M., i cili krahas asaj që e ka detyruar në prostitucion, gjatë periudhës së fundit mbi vajzën ka ushtruar edhe torturë fizike.
Me shëndet dukshëm të dëmtuar dhe lëndime të rënda nëpër tërë trupin, L.M me autobus të dëmtuarën e ka kthyer në Strumicë, pas së cilës menjëherë ka qenë e transferuar në qendrën medicinale ku janë konstatuar lëndime të rënda trupore. Pasi që janë arrestuar, ata i janë dorëzuar gjykatësit hetues.
Nuk arritëm të zbulojmë nëse rasti ka epilog gjyqësor, por kjo është vetëm një prej rasteve që kishin çfarëdo epilogu. Në Maqedoni tregtia me njerëz nuk është diçka e re, por në dallim nga viti 2003, këtë vit nuk kishim incizime shqetësuese të arrestimit të makrove siç ishte arrestimi i Bojkut, Leku, ndërsa nuk ndodhën edhe çfarëdo gjykimesh më të mëdha me epilog të qartë – detyruesit në burg, ndërsa vajzat nëpër shtëpitë e tyre.

Shifra zyrtare vs jozyrtare

Rrëfimi është vetëm një ilustrim i një pjese të përditshmërisë maqedonase në biznesin profitabil tregti me njerëz. Rrëfime të këtilla si kjo e K.T. me siguri ka shumë, por nuk përfundojnë të gjitha në spital. Shumë prej tyre mbeten të pazbuluara ose hyjnë në statistikën e MPB-së, ose të ndonjë organizate joqeveritare dhe këtu mbeten – vetëm si statistikë.
Kur tashmë jemi tek shifrat, në dallim nga viti 2003 situata në Maqedoni lidhur me tregtinë me njerëz dhe veprat e ndërlidhura me të, “trafikim të migrantëve” dhe “organizim të grupit dhe nxitje të kryerjes së veprave tregti me njerëz dhe trafikim të migrantëve”, është në rënie.
Në vitin 2004 për tregti me njerëz, prostitucion të detyrueshëm dhe migrim ilegal janë zbuluar 67 vepra penale, të kryera prej 115 kryerësve dhe me këtë rast janë parashtruar 41 kallëzime penale. Prej këtyre veprave që drejtpërdrejt ndërlidhen me “tregtinë me njerëz” janë 14 vepra të kryera prej 37 kryerësve.
Në vitin 2003 janë regjistruar 33 vepra penale vetëm për “tregti me njerëz”, të kryera prej 63 kryerësve, 20 vepra penale “ndërmjetësim në ushtrimin e prostitucionit” janë kryer prej 25 kryerësve, një vepër penale “mashtrim dhe mundësim të veprimeve seksuale” e kryer nga një kryerës dhe dy vepra penale “vendosja e marrëdhënive robërie dhe bartje të personave në marrëdhënie robërie”.
Në qendrën tranzitore për të huaj nëse gjatë vitit 2003 janë pranuar 132 shtetase të huaja si viktima të tregtisë me njerëz, në 2004 numri i tyre është zvogëluar në mënyrë drastike. Gjithsej 12.
Me siguri pjesa më e madhe e bullgareve të kapura gjatë bastisjeve të kryera nëpër kafenete në fshatrat e Tetovës menjëherë janë kthyer në Bullgari, pa kaluar nëpër qendrën tranzitore. Të përkujtojmë: vetëm gjatë dy bastisjeve në kafenenë “Oriental As” në fshatin Zherovjan MPB gjatë dy bastisjeve (në qershor dhe në shtator) gjeti 13 bullgare pa dokumente dhe dy maqedonase. Siç informuan një pjesë e mediave lokale, gratë janë ruajtur në hapësira të posaçme të përgatitura në bodrume dhe janë detyruar në prostitucion. Kundër pronarit të kafenesë, njëfarë A.A. (34), siç deklaruan në shërbimin për informim në MPB, është ngritur “kallëzim penal për trafikim të migrantëve” dhe i njëjti ende kërkohet. “Oriental As” asnjëherë nuk pushoi me punë, A.A. është ende pronar që madje edhe menjëherë pas aksioneve të MPB-së ishte i arritshëm për gazetarët.
Sekretari i Komisionit nacional për luftimin e tregtisë me njerëz dhe migrimit ilegal, Zoran Filipovski dhe i punësuar në MPB shprehet se shifra e viktimave të tregtisë me njerëz bie para së gjithash për shkak të aktiviteteve të shpeshta të Ministrisë, por ndoshta edhe për shkak të ndryshimit të metodave.
“Tregtarët e ndryshojnë metodologjinë e punës, meqë MPB-ja tashmë i di rrugëkalimet nëpër të cilat kalojnë viktimat, ndërsa e ndryshojnë edhe mënyrën e punës. Gjegjësisht, viktimat nuk punojnë nëpër bare, por vendosen nëpër banesa private. Tregtarët tani i fusin viktimat në Maqedoni legalisht me dokumente të tyre ose të falsifikuara, ose i tërheqin me shpallje për punësim në Evropën Perëndimore”, shprehet Filipovski.
Për organizatat joqeveritare dhe ndërkombëtare trendi i rënies së numrit të viktimave të regjistruara të tregtisë nuk do të thotë se ky biznes është duke u zvogëluar. OSBE-ja vlerëson se në Maqedoni brenda vitit kalojnë 2000 deri 2500 viktima të tregtisë me njerëz, prej të cilëve një pjesë mbeten në Maqedoni. Siç shprehet Xheraldin Bjalersted, oficere e lartë për sundimin e së drejtës në OSBE, e cila punon në programe për luftimin e tregtisë me njerëz, “ndërmjet shifrës zyrtare dhe jozyrtare ekziston një hapësirë e madhe e zezë dhe nuk jam e sigurt se çfarë do të arrijmë me atë që debatojmë rreth tyre”.
“Çka e bën një shifër zyrtare? Meqë qeveria thotë se është?”, pyet Bjelersted.
OSBE-ja vlerësimet e këtilla i nxjerr në bazë të të dhënave të fituara nga organizatat lokale joqeveritare, organizatave ndërkombëtare që punojnë në këtë problem, si dhe nga raportet rajonale.
Bjalersted pajtohet se arsyeja për rënien e shifrës së viktimave të tregtisë qëndron në ndryshimin e mënyrës së punës së trafikantëve, por bën të ditur edhe një taktikë të re – viktimat edhe vetë nuk shihen si viktima, meqë tek ato mbetet ndonjë vlerë minimale e parave për shërbimet që i ofrojnë.
Prostitucioni dhe seks-trafikimi
Stejt Departamenti në revizionin e raportit të fundit të vitit 2004 shprehet se prostitucioni dhe tregtia me persona për shkak të seksit janë të ndërlidhura ndërmjet vete.
“Prostitucioni dhe aktivitetet tjera të ndërlidhura siç është mashtrimi, përkrahja ose hapja e bordeleve është vetëm vaj në rritjen e kësaj robërie bashkëkohore, me atë që sigurojnë fasadë, pas të cilës operojnë tregtarët me eksploatim seksual”, thuhet në plotësimin e raportit.
Sipas njohurive të tyre, aty ku prostitucioni është legalizuar ose toleruar ekziston edhe kërkesë më e madhe, e me këtë rritet numri i viktimave të tregtisë me gra dhe fëmijë të përfshirë në seks robërinë komerciale.
Vlerësohet se prej 600.000 deri 800.000 persona bëhen viktima të tregtisë brenda vitit. Rreth 80 për qind e këtyre viktimave janë gra, ndërsa gjysma e tyre janë të mitur.
Ky biznes është me fitim të lartë. Sipas vlerësimeve të shërbimeve kundërzbuluese amerikane, fitimi që e marrin tregtarët është rreth 10 miliardë dollarë brenda vitit. Me këtë kjo bëhet kriminaliteti i tretë më profitabil, pas tregtisë me armë dhe droga narkotike.
Shteti thotë: “nuk ka tregti të brendshme”; a thua?
Ngjashëm si edhe në shifrat, ashtu edhe lidhur me këtë çështje shteti dhe organizatat ndërkombëtare dhe joqeveritare assesi të pajtohen. Filipovski shprehet se në Maqedoni nuk ka tregti të brendshme me njerëz, e aq më i vogël është rreziku se Maqedonia mund të bëhet vendburim i tregtisë siç është Bullgaria, Rumania ose ndonjë vend tjetër eurolindor. Sipas tij, në Maqedoni ende nuk është përpunuar sistemi për rekrutim, e edhe se maqedonaset nuk mashtrohen me shpalljet tërheqëse për punësim në botën e jashtme për shkak se nga fushatat që i bëjnë organizatat joqeveritare janë mirë të informuara se çfarë mund t`u ndodhë. Edhe në Prokurorinë publike shtetërore shprehen se tregtia e brendshme në Maqedoni nuk është e pranishme ose është aq e rrallë, sa që nuk mund të thuhet se bëhet fjalë për dukuri. Filipovski shprehet se informatat e këtilla i përhapin organizata të caktuara ndërkombëtare dhe organizata lokale joqeveritare të cilat me pohimet e këtilla kërkojnë mënyrë për të mbijetuar.
“Nëse mandati i një organizate ndërkombëtare është para fundit, ndërsa duan të mbeten, atëherë bëjnë problem. Dalin me shifra, por askush nuk bën analiza dhe shifra mbi të cilat do të mbështeteshin ato supozime se Maqedonia po bëhet
vendburim i tregtisë me njerëz”, shprehet Filipovski.
Në OSBE shprehen se misioni i tyre ndoshta do të zvogëlohet, por dikasteri për sundimin e së drejtës që punon në disa fusha do të mbetet një kohë më të gjatë në Maqedoni, e kjo do të thotë se do të vazhdojnë të punojnë në projekte të ndërlidhura me tregtinë me njerëz.
“Vallë, nëse ka pesë raste të tregtisë së brendshme, duhet të thuhet se ekziston? Absolutisht, po madje edhe nëse ka vetëm një rast. Meqë, nëse kjo mohohet, atëherë mohohet edhe e drejta e atyre viktimave për mbrojtje”, shprehet Bjalersted, e cila e potencoi problemin e tregtisë së brendshme me gra që në intervistën e parë për LOBI-n në prill të vitit 2004.
Për hir të vërtetës edhe rrëfimi i banores së Strumicës Kate T. me të cilën e filluam këtë storje, i ngjan tregtimit të brendshëm nëse merret parasysh se ajo ka qenë e mashtruar dhe e shitur. Por, ndoshta gjykata ka vendosur ndryshe.
Madje edhe Ministria e Punëve të Brendshme, në analizat që mund të gjenden në internet-faqen e tyre, nuk mohon se ka tregti të brendshme me njerëz.
“Në rajonin e Manastirit është realizuar një rast i tregtisë me njerëz dhe ndërmjetësim gjatë ushtrimit të prostitucionit, në të cilin si viktima të tregtisë paraqiten katër shtetase maqedonase. Në këtë rast penalisht janë paditur një pronar i kafenesë në Kërçovë, një pronar i kafe-barit në Ohër, tre persona nga Manastiri, si dhe një person nga Kërçova, ndërsa me plotësim të kallëzimit penal janë paditur edhe dy persona nga Manastiri. Të pandehurit për shkak të fitimit të dobisë kundërligjore pronësore, ndërmjet vete i kanë shitur shtetaset maqedonase (njëra është person i mitur), dhe të njëjtat i kanë detyruar në shërbim dhe prostitucion ose kanë ndërmjetësuar në ushtrimin e prostitucionit. Kundër pronarit të kafe-barit në Ohër është parashtruar edhe një kallëzim penal për vepër të kryer penale “ndërmjetësim në ushtrimin e prostitucionit” për shkak të detyrimit në prostitucion të shtetases maqedonase, e cila ka qenë e punësuar në kafe-barin”, thuhet në analizën “Kriminalitet i organizuar – tregtia me njerëz”.
Vendimi gjyqësor i këtij rasti të vitit 2003 ishte tregti me njerëz, por vendimi i Gjykatës së Manastirit tani pret vendim nga Gjykata e Apelit.
Nga organizata joqeveritare Porta e Hapur e cila tashmë dy vite me radhë ka SOS -linjë telefonike për informatë dhe parandalim të tregtisë me njerëz, veçmas me gra dhe fëmijë, shprehen se numri i vajzave nga Maqedonia viktima të tregtisë së brendshme është duke u rritur. Në vitin 2004 kjo organizatë ka pasur 13 raste të viktimave të tregtisë që prej tyre kanë kërkuar asistim. Dhjetë prej tyre janë maqedonase, ndërsa tri janë shtetase të huaja.
“Gjithnjë e më i madh është numri i vajzave nga Maqedonia që paraqiten te ne si viktima të tregtisë. Tmerron fakti që edhe kufiri i moshave është zvogëluar. Viktima janë vajza të moshës prej 14 deri 24 vjeç”, shprehen në Porta e Hapur.
Këto vajza në pjesën më të madhe rrjedhin nga Maqedonia lindore dhe qendrore, ndërsa më pak nga pjesa perëndimore para së gjithash, siç shprehen, për shkak të faktit se vajzat e pjesës perëndimore “dinë më shumë për këtë biznes, meqë më shpesh i shikojnë”.
Sipas strukturës nacionale, më së shumti janë maqedonase dhe rome, ndërsa ka edhe shqiptare. Kryesisht ato janë vajza që rrjedhin prej familjeve disfunksionale ose thjesht vetëm prej familjeve të varfëra, prej mjediseve rurale që kërkojnë mënyrë për të ardhur deri te një jetë më e mirë. Por, nuk përjashtohet mundësia që viktima të bëhen edhe vajza që rrjedhin prej familjeve me standard më të lartë jetësor. Mashtruesit ose ata që i kanë rekrutuar në këtë rrjetë kriminale në të shumtën e rasteve janë miq të tyre ose madje edhe farefis që përmes “lidhjeve” u gjejnë punë në vend ose në botë.
Pjesa më e madhe e personave që kanë kërkuar ndihmë në këtë linjë nuk e paraqesin rastin në polici ose në qendrat për ndihmë sociale dhe kështu mbeten të pavërejtura nga statistika zyrtare.
Vajzat që kërkojnë ndihmë nga Porta e Hapur nëse janë viktima të tregtisë, ndërsa nuk duan t`i drejtohen policisë duhet të arratisen vetë. Planin për arrati, siç shprehen nga organizata e përgatisin së bashku, por me viktimën takohen tek pasi që të ikë nga vendi ku është mbajtur. Më pas nëse duan hyjnë në programin e tyre që zgjat deri një muaj dhe përbëhet nga ajo që vajza dërgohet në vend të sigurt që e dinë vetëm disa njerëz të organizatës. Vajzat pandërprerë kanë shoqëri dhe person me të cilin bisedojnë.
“Këtyre vajzave u nevojiten disa ditë që të fillojnë të flasin për atë që e kanë kaluar, por jo për shkak se turpërohen, por nga frika. Ndoshta është e pakuptueshme për shumëkënd që nuk dinë se çfarë do të thotë të jesh viktimë e tregtisë, por pjesës më të madhe prej tyre u janë kërcënuar se nëse ikin jo vetëm që do t`i vrasin ata, por do të vuajnë edhe të afërmit e tyre”, rrëfejnë në Portën e Hapur. Gjatë programit viktima inkurajohet që të kthehet në shtëpi te prindërit dhe organizohet takim me prindërit, ndërsa rekomandohet që të kërkohet edhe ndihmë nga qendrat sociale.
Ajo që paraqet problem është fakti që Maqedonia është e vogël, ndaj personat që kanë qenë viktima kthehen në mjedisin e njëjtë prej ku kanë dashur të ikin, makrotë e tyre e dinë ku jetojnë dhe mund të përfundojnë sërish në duart e tyre, e jo rrallë edhe vetë mjedisi prej ku vijnë i refuzon për shkak se janë “prostituar”.
Në këtë organizatë konsiderojnë se ndoshta do të ishte më mirë sikur të ekzistonin të ashtuquajtura “shtëpi të sigurta”, ku këto vajza pa dallim nëse janë shtetase vendore ose të huaja mund të qëndrojnë një kohë më të gjatë, ku do të mund të stërviteshin në ndonjë zeje dhe në këtë mënyrë u ofrohet një zgjidhje më e mirë dhe më e sigurt. Filipovski, nga ana tjetër, shprehet se tani për tani nuk ekzistojnë kushte, ndërsa nuk ka as rregullativë ligjore me të cilën do të mund të formoheshin vendstrehimet e këtilla.
Përmirësim të rregullativës ligjore

Si dëshmi se Maqedonia bën përpjekje për luftim të suksesshëm të tregtisë me njerëz në raportin e Stejt Departamentit për tregti me njerëz ajo ishte vendosur në grupin e parë të vendeve në të cilat përmbushen standardet minimale për luftim të suksesshëm të tregtisë me njerëz. Në këtë pjesë janë bërë mjaft hapa, ndërsa një pjesë e tyre do të vijojnë edhe gjatë këtij viti. Vitin e kaluar janë bërë ndryshime të Kodit penal me vendosjen e dispozitave ndëshkuese për tregtinë me njerëz (dispozitat 418 b – trafikim të migrantëve; dhe 418 c – organizim të grupeve për nxitje të kryerjes së veprave me tregti me njerëz dhe trafikim të migrantëve). Janë përgatitur draft -versione për ndjekjen e komunikimeve, me të cilën Ministria e Punëve të Brendshme do të mund ta ndjekë komunikimin e personave të dyshimtë që merren me tregti me njerëz, si dhe draftin e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve.
“Pritet që ky ligj të hyjë në procedurë diku pas vitit të ri”, shprehet Filipovski. Në përgatitje e sipër është edhe Ligji i ri për të huajt.
Edhe në OSBE dhe UNICEF janë të kënaqur me ndryshimet nëlegjislaturë. Me to ngadalë po krijohen kushte për rrumbullakimin e sistemit me të cilin viktimave pa marrë parasysh nëse janë shtetas vendorë ose të huaj do t`u ofrohet ndihmë dhe mbrojtje më e mirë, ndërsa shifrat jozyrtare do të mund të zyrtarizohen. Lobi


Publikuar: 05.10.2008 | 15:21
Lexuar: 983 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime