"Kosova ka mirëpritur Raportin e Progresit të Komisionit Evropian dhe vlerëson lart qëndrimin unik të BE-së për miratimin e rekomandimeve të Komisionit për thellimin dhe intensifikimin e Dialogut të Procesit të Integrimit Evropian", tha Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi, ritheksoi sot, në takimin e Forumit të Nivelit të Lartë, përkushtimin e Qeverisë "për të proceduar me reformat e gjithanshme në të mirë të qytetarëve të Kosovës me perspektivë të sigurt anëtarësimin në Bashkimin Evropian".
"Ne jemi zotuar të vazhdojmë reformat dhe besojmë fuqishëm se zhvillimi dhe integrimi i vendit në familjen e madhe evropiane janë procese integrale, të cilat e plotësojnë njëra tjetrën", theksoi ai.
Për këtë, shtoi Thaçi, kemi vendosur të themelojmë Ministrinë e Integrimit Evropian, e cila do të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet komunitetit të donatorëve dhe institucioneve të Kosovës.
"Kosova ka mirëpritur Raportin e Progresit të Komisionit Evropian dhe vlerëson lart qëndrimin unik të BE-së për miratimin e rekomandimeve të Komisionit për thellimin dhe intensifikimin e Dialogut të Procesit të Integrimit Evropian", tha Thaçi.
Gjithashtu, sipas vlerësimit të kryeministrit, një sinjal tjetër shumë i rëndësishëm i perspektivës evropiane të Kosovës, është fillimi i procesit për një marrëveshje të mundshme tregtare dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
"Ne dje dorëzuam pyetësorin për marrëdhënie tregtare me Bashkimin Evropian", ndërsa "Kosova që sot është gati të presë edhe udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave", theksoi Kryeministri Thaçi, duke bërë thirrje që të punohet në mënyrë unike për perspektivën evropiane të shtetit të ri.
Forumi i Nivelit të Lartë është vendosur si një mekanizëm i përhershëm me qëllim shqyrtimin dhe vlerësimin e progresit të zhvillimit social-ekonomik dhe efikasitetit të ndihmës së jashtme. Në takimin e sotëm u prezantuan arritjet nga fusha e ekonomisë dhe financave si dhe në ngritjen e strukturave për koordinimin me donatorët e huaj.