E shtunƫ, 26.05.2012
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Të bindur se vetëm ndërtimi i marrëdhënieve miqësore, të fqinjësisë dhe bashkëpunimit është në interes të popujve dhe shteteve tona, gjatë viteve të shkuara kemi investuar shumë për përparimin e tyre, duke arritur sot këtë nivel të lartë të bashkëpunimit dhe të miqësisë midis Republikës së Shqipërisë e Republikës së Maqedonisë.
Marrėveshja Kornizė e Ohrit mbetet shembull i kompromisit








BAMIR TOPI


Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë janë shumë të mira dhe po zhvillohen në drejtimin e duhur. Si politikanë, ne kemi për detyrë t’u shërbejmë vendeve tona dhe popujve tanë. E rëndësishme është që, në mënyrë reciproke, jemi të vetëdijshëm dhe se mes nesh ka një vullnet të qartë politik për t’i çuar më tej ato.

Të bindur se vetëm ndërtimi i marrëdhënieve miqësore, të fqinjësisë dhe bashkëpunimit është në interes të popujve dhe shteteve tona, gjatë viteve të shkuara kemi investuar shumë për përparimin e tyre, duke arritur sot këtë nivel të lartë të bashkëpunimit dhe të miqësisë midis Republikës së Shqipërisë e Republikës së Maqedonisë.

Dëshiroj të nënvizoj rolin e vendeve tona, por edhe përparësinë që ka për to angazhimi në projektin madhor të “Korridorit të 8-të”, i cili përbën një arterie të pazëvendësueshme zhvillimi shumëplanësh. Projektet tona të energjisë, infrastrukturës, transportit rrugor, detar, hekurudhor, ato të telekomunikacionit kanë provuar bashkërendimin e suksesshëm dypalësh, sidomos në drejtim të lobingut për gjetjen e mundësive realizuese të këtij projekti.

Jam shumë i gëzuar të konstatoj se politika e heqjes reciproke të vizave për qytetarët e vendeve tona ka bërë që ata jo vetëm të shijojnë më lehtë dhe më shpesh bukuritë tona natyrore e turistike, por edhe të njohin më mirë njëri-tjetrin, vlerat dhe pasuritë shpirtërore e kulturore dhe historinë e trashëgiminë e tyre.

Duke siguruar lirinë e lëvizjes së rregullt të qytetarëve, ne kemi rritur mirëbesimin mes popujve tanë dhe kemi krijuar stadin e nevojshëm që kufiri i përbashkët shqiptaro-maqedonas të kthehet në një kufi evropian, i sigurt dhe modern.

Shpreh besimin nga kjo foltore se miqtë tanë evropianë do ta marrin në konsideratë këtë arritje për t’u dhënë edhe shtetasve shqiptarë mundësinë që të lëvizin të lirë në hapësirën e qytetëruar, për të cilën ata jo vetëm kanë ëndërruar, por edhe kanë luftuar. Bashkëpunimi ynë nuk kufizohet vetëm në marrëdhëniet dypalëshe. Ato përbëhen nga dimensioni shumë i rëndësishëm rajonal.

Fakti që vendet tona janë të orientuara qartë në mënyrë të vendosur e të përkushtuar drejt qëllimeve të përbashkëta euroatlantike, i pasuron marrëdhëniet me dimensionin e rëndësishëm integrues dhe plotëson kuadrin e gjerë të këtij bashkëpunimi. Përkushtimi, vendosmëria dhe qartësia jonë në rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike është mënyra e vetme për t’u mundësuar qytetarëve tanë të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane, të evropianizojmë familjen tonë të vogël, të rrisim numrin e miqve tanë dhe vendet tona të zhvillohen në paqe, stabilitet, siguri e mirëqenie të qëndrueshme.

Kjo është një detyrë e përgjegjësi historike dhe nuk ka kohë për të humbur. Ky është angazhimi ynë për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe, njëkohësisht, mirënjohje për brezat e kaluar që iu përkushtuan paqes e demokracisë.

Anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO, si edhe stadin më të avancuar të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian e në procesin e liberalizimit të vizave “Shengen” nuk e shikojmë si një proces të shkëputur, të izoluar nga vendet e tjera të rajonit dhe as si një konkurrencë mes këtyre vendeve; përkundrazi, arritjet dhe sukseset e çdo vendi fqinj shtojnë garancitë, qartësojnë perspektivën për proceset e filluara dhe rrisin besimin e qytetarëve tanë se integrimi është një realitet i prekshëm dhe i realizueshëm. Procesi i zgjerimit të NATO-s, si edhe politikat e aktuale rajonale të saj tregojnë, gjithashtu, se si vlerat dhe interesat tona të sigurisë përputhen.

Ajo ka krijuar një zonë unike të sigurisë në të gjithë kontinentin. Tashmë ju keni një mik të sinqertë dhe të përkushtuar brenda kësaj aleance, e cila mirëpret anëtarësimin e vendit tuaj. Procesi i zgjerimit ka dhënë dhe vazhdon t’u japë fqinjëve besim të ri në të ardhmen e tyre dhe një shtysë të fuqishme për reforma të brendshme. Duke vepruar kështu, ajo ka rritur begatinë dhe sigurinë për të gjithë ne. Në këtë plan, Republika e Shqipërisë është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin dhe me vendet e tjera; gjithashtu, angazhimet tona janë edhe në drejtim të asistencës së Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi e Serbisë në përmbushjen e kushteve si për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, ashtu edhe për procesin e mëtejshëm të tij.

Kjo logjikë integrimi nëpërmjet zgjerimit të NATO-s mbetet më aktuale se kurrë. Ajo mbetet veçanërisht aktuale këtu, në Ballkanin Perëndimor, pasi unë besoj fuqimisht se për këtë rajon integrimi euroatlantik ofron të vetmen rrugë për të shkuar përpara. Shqipëria ndodhet sot në fazën më të rëndësishme të marrëdhënieve të saj me Bashkimin Evropian. Në pritje të statusit të kandidatit dhe në çastin e dorëzimit të pyetësorit, përvoja e vendit tuaj për hapat tanë të mëtejshëm në këtë drejtim, ka vlera të mëdha orientuese.
Fjalimi i Presidentit para depututetëve të Maqedonisë

Presim që vlerësimi dhe vendimi i Bashkimit Evropian, në lidhje me statusin e Republikës së Shqipërisë, të bazohet vetëm në kriteret e Kopenhagenit, që vlejnë për të gjitha vendet kandidate. Të nderuar deputetë, po flas para jush në një kohë kur rajoni ynë po përjeton përmbylljen e arkitekturës së re dhe moderne të marrëdhënieve ndërshtetërore. Popujt janë të lirë dhe zotër të fateve dhe zgjedhjeve të tyre; por mjafton të kthejmë pak kokën mbrapa për të kuptuar se ka qenë një rrugë e vështirë dhe e dhimbshme.

Procesi i çlirimit përfundimtar të popujve të ish-Jugosllavisë u mbyll me pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ne jemi të bindur se kjo ngjarje i kontribuoi stabilitetit dhe qetësisë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe, natyrisht, edhe procesit të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal e integrimit të tij. Kjo bindje vërtetohet edhe nga fakti që njohja e pavarësisë së Kosovës mbështetet nga vendet më të rëndësishme të politikëbërjes botërore dhe nga vendet fqinje të saj, si Republika e Maqedonisë. Vendimi i Shkupit zyrtar për njohjen dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës është një hap shumë i rëndësishëm, i matur dhe në kohën e duhur dhe një mesazh për paqen e stabilitetin në rajon.

Kosova është e pavarur dhe ky realitet i pakthyeshëm, sado i dhimbshëm të jetë për ndokënd, duhet pranuar. Republika e Shqipërisë do të mbetet e angazhuar në politikën e saj të jashtme rajonale. Ajo do të vazhdojë të luajë rolin e saj të moderuar dhe evropian. Dëshiroj të theksoj se këtij roli i është bashkuar i gjithë faktori politik shqiptar në rajon, duke dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe paqen e brendshme në vendet ku ata jetojnë.

Edhe në Republikën e Maqedonisë, partitë politike shqiptare, sa në pozitë, aq edhe në opozitë, kanë provuar se i kontribuojnë stabilitetit, integritetit të Maqedonisë, paqes sociale dhe bashkëpunimit rajonal. Ne inkurajojmë bashkëpunimin, integrimin, angazhimin e veprimin e tyre institucional në vazhdimësi dhe e konsiderojmë popullsinë shqiptare në Maqedoni si faktor të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet shembull i kompromisit jo vetëm politik, por edhe i paqes ndëretnike në Republikën e Maqedonisë. Zbatimi i plotë i saj është element kyç për stabilitetin e Maqedonisë dhe të ardhmen e saj evropiane.

Kjo kornizë e rëndësishme ligjore i ka paraparë të gjithë qytetarët e Maqedonisë të barabartë përpara ligjit dhe Kushtetutës duke u garantuar shqiptarëve të drejtat e tyre, të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare dhe të përdorimit të saj, të përdorimit dhe respektimit të simboleve kombëtare, historike e kulturore, të përfaqësimit të drejtë të tyre në institucionet e Maqedonisë dhe një zhvillim harmonik ekonomik në zonat dhe rajonet ku ata jetojnë dhe punojnë në të mirë të familjeve dhe të vendit të tyre. Evropa nuk mund të quhet e plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor; por pavarësisht optimizmit realist që unë kam për të ardhmen e rajonit, dëshiroj të theksoj sërish se zgjidhja përfundimtare duhet kërkuar duke u ballafaquar me realitetin edhe duke gjetur kompromiset e nevojshme për të ecur përpara, drejt Brukselit.

Çështja është se, përveç procesit njohës të njëri-tjetrit, ndodh të biem në kurthin e të këqyrurit të tjetrit përmes imazheve nga e kaluara, duke u bërë kështu viktima të paragjykimeve që kanë shoqëruar marrëdhëniet tona në të kaluarën e afërt, por edhe të largët. Dalja nga ky qerthull vicioz qëndron në njohjen dhe pranimin e ndërsjellë, ashtu siç jemi.

Në këtë mënyrë do të zbulojmë se fqinji që kemi parë me dyshim e frikë, nuk përbën kërcënim, pavarësisht prejardhjes se tij kombëtare, etnike apo fetare ndryshe nga jona. Në këtë mënyrë do të kuptojmë se pavarësisht prejardhjes së tij, e ardhmja na rezervon të njëjtin fat dhe e tashmja na kërkon të njëjtat përgjegjësi. Nuk është e pamundur të bashkëpunojmë, të komunikojmë, të zhdukim pengesat e dasitë edhe përpara se të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian. Shqipëria është e vendosur ta përfundojë me sukses këtë sfidë.

Publikuar: 16.04.2010 | 06:55
Lexuar: 829 herė
Printo PDF format Shto nė,..

Komentet

Ndalohet pėrdorimi i gjuhės denigruese dhe fjalėve ofenduese ndaj individėve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet qė s`kanė tė bėjnė me temėn e artikullit. Moderatorėt mbajnė tė drejtėn e fshirjes sė komenteve qė thyejnė rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime