"Puna juaj në drejtim të vendosjes së rendit, rregullshmërisë në procesin mësimor-shkencor dhe përpjekjet që realizoni me qëllim të investimit për sigurimin e kushteve moderne janë për tu vlerësuar, tha në këtë takim pune John Surface.
Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, sot qëndroi për vizitë zyrtare një delegacion nga Ambasada e SHBA në Republikën e Maqedonisë.
Delegacioni i kryesuar nga John Surface-atashe për kulturë, Alexander Woods-drejtor për arsim në USAID dhe Gazmend Ilazi-asistent për çështje arsimore në këtë ambasadë, në USHT u prit nga prorektori për arsim, prof. dr. Ismail Ahmedi, Shefik Shehu-shef i Zyrës për marrëdhënie me jashtë dhe këshilltari i Rektorit për marrëdhënie me jashtë, doc. dr. Bashkim Zyberi.
Në këtë takim u bisedua për mundësitë dhe forcimin e bashkëpunimit me universitetet amerikane dhe më gjerë. Me këtë rast, prorektori, prof. dr Ismail Ahmedi, në emër të Rektorit shprehu falënderime për interesin dhe gatishmërinë e përfaqësuesve të Ambasadës amerikane, për kontributin dhe rolin ndërmjetësues në jetësimin e lidhjeve akademike dhe shkencore me universitetet më në zë të SHBA-ve.
Delegacionin i Ambasadës së SHBA, drejtuesit e Universitetit e njoftuan për ecurinë e procesit arsimor dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ai.
Atasheu për kulturë i kësaj Ambasade, John Surface, i përgëzoi drejtuesit e USHT-së për progresin e arritur në konsolidimin e këtij institucioni.
"Puna juaj në drejtim të vendosjes së rendit, rregullshmërisë në procesin mësimor-shkencor dhe përpjekjet që realizoni me qëllim të investimit për sigurimin e kushteve moderne janë për tu vlerësuar, tha në këtë takim pune John Surface.
Duhet theksuar se përfaqësuesit e Ambasadës amerikane, USHT-në e kanë vizituar edhe gjatë vitit të kaluar, më 5 dhjetor të vitit të kaluar, kur edhe filloi zyrtarisht bashkëpunimi në mes këtyre dy institucioneve, ndërsa takimet e këtilla pritet të realizohen edhe në të ardhmen.