E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Një numër i madh kureshtarësh u mblodhën në mëngjesin e datës 28 qershor 1914 në rrugët e Appel-Kait në kryeqytetin boshnjak, Sarajeve.
Paradokset e atentatit të Sarajevës


Vrasja e trashëgimtarit të fronit austriak, Franc Ferdinand, bëri të shpërthente Lufta e Parë Botërore. Atentati që ka sjellë shumë debate, renditet si njëri ndër më amatoreskët në historinë botërore.

Një numër i madh kureshtarësh u mblodhën në mëngjesin e datës 28 qershor 1914 në rrugët e Appel-Kait në kryeqytetin boshnjak, Sarajeve.

Pa ngut, aty rreth orës 10.20 arkiduka austriak, trashëgimtar i fronit perandorak, Franc Ferdinand, bashkë me të shoqen, princeshën Sofia u lëshuan teposhtë me makinën e tyre të hapur. Përgjatë lumit Miljacka ata po udhëtonin lirshëm drejt bashkisë së qytetit. Autokolona po lëvizte përpara me një shpejtësi pak më të madhe se hapat e këmbësorëve. Nuk vihej re ndonjë nxitim, dielli po ndriçonte dhe atmosfera mes njerëzve ishte e shkëlqyer. Herët në mëngjes, Franc Ferdinandi i kishte dërguar telegram së bijës për ta siguruar, duke i thënë se: “Gjendja e ime dhe e mamit është e mirë. Moti i ngrohtë dhe i bukur”. Por jo të gjithë kureshtarët në atë ditë bluanin vetëm të mirën në kokë.

Armatosur me bomba, pistoleta dhe kapsula helmi, një tufë prej gjashtë atentatorësh pro-serbë po prisnin shumë të vendosur të kryenin aksionin e tyre mbi arkidukën – të vetmuar e të spostuar në një largësi prej rreth 300 metrash larg njëri-tjetrit përgjatë gjithë rrugës. Dy prej të rinjve nuk kishin mbushur akoma 17 vjeç dhe më i madhi prej tyre ishte vetëm 27 vjeç. Gjasat e tyre për sukses ishin shumë modeste: maksimumi 150 policë qëndronin të gatshëm në mbarë qytetin për të mbrojtur trashëgimtarin. Axhendën ditore të Franc Ferdinandit atë ditë dhe planin e tij të lëvizjes, tashmë atentatorët e kishin marrë vesh qartë nga gazetat ditore që e trumbetonin ndër lajmet kryesore. Megjithatë, sulmi ndaj tij, përtej suksesit përfundimtar, nuk do të rridhte vaj.

“Gozhda dhe plumb i ngjeshur”

Atentatori numër një ishte Muhamed Mehmedbashiç – mirëpo ai e la të kalonte e papenguar autokolonën. Një polic kishte qëndruar pas tij, u justifikua ai më vonë. Atentatori numër dy, Vaso Çubriloviç, e lanë nervat, ai mbeti në vend pa lëvizur.

Atentatori numër tre, përkundrazi, Nedeljko Çabrinoviç, u tregua më gjakftohtë. Sipas legjendës, ai këmbeu dy fjalë përshëndetje miqësore me një polic rreth orës 10.26, duke e pyetur edhe se në cilën makinë ndodhej arkiduka.

“Makina e tretë!” – ishte përgjigjja. Veç tyre, një truprojë e Franc Ferdinandit ishte ai që praktikisht tregonte më së miri se ku ndodhej realisht makina e trashëgimtarit të fronit. Shumë i vendosur, Çabrinoviç tërhoqi ndezësin e bombës së tij, ndërsa qëndronte pranë një shtylle ndriçimi, duke e hedhur atë larg. Por viktima e tij e pengoi bombën me krahun e vet – të paktën kështu thuhet në rikonstruksionin e ngjarjeve. Një tjetër version pohon se shoferi i arkidukës e pa materialin shpërthyes të kërcente në ajër dhe shkeli instiktivisht edhe më fort pedalin e gazit. N

jë version i tretë, më në fund pretendon se Çabrinoviç madje kishte prekur paksa me bombën e tij mbulesën e mbledhur të kabinës së autoveturës. Pak rëndësi ka se cili është përcaktimi i duhur – Franc Ferdinandi sidoqoftë, nga kjo përpjekje mbeti i paprekur. Bomba shpërtheu pas makinës së arkidukës dhe shkaktoi disa të plagosur.

Gazeta “Reichspost” më vonë do të pohonte se bomba kishte qenë e mbushur me gozhda dhe plumb të ngjeshur. Cabrinoviç u përpoq pas hedhjes së tij të pasuksesshme, t’i jepte fund jetës, por edhe në këtë tentativë, ai mbeti sërish i ndjekur nga tersi: në fillim ai gëlltiti një kapsulë helmi, por kjo nuk pati ndikim vdekjeprurës. Më pas ai u hodh në lumë, pikërisht në një vend disi të cekët. Shumë shpejt e pa veten të rrethuar nga rojat e sigurisë dhe civilët e irrituar.

“Të pritesh me bomba”

Atentatori i arrestuar numër dy, Vaso Çubriloviç, kishte pra mundësinë ideale që ta vriste trashëgimtarin e fronit. Franc Ferdinand, pas shpërthimit, në vend që të largohej sa më shpejt në një vend të sigurt, e kishte ndaluar makinën e tij dhe po qëndronte atje në mes të rrugës, i pambrojtur dhe shumë i dallueshëm nga shumë kënde. Por Çubriloviç nuk bëri asgjë. Si xhentëllmen i vërtetë, “atë e kishte prekur prania e dukeshës Sofie, duke e penguar të kryente vrasjen”, do të thoshte ai më vonë gjatë deponimeve.

Edhe atentatori tjetër, Cvetko Popoviç, i cili i kishte qëndruar më pranë se askush tjetër nga atentatorët arkidukës pas ndalesës që kishte bërë makina e tij, po sillej si i mpirë e plotësisht i hutuar. Dhe kështu që rasti që u shfaq mbeti pa u shfrytëzuar: Franc Ferdinandi bëri më tej për nga Bashkia, ku ai u shfaq rreth orës 10.30. Pas mbetën dy të rinj të zhgënjyer: Gavrilo Princip, atentatori numër pesë, dhe Trifko Grabezh, atentatori numër gjashtë, që i shtynë me dëshpërim përkohësisht planet e tyre të sulmit, duke menduar madje se gjithçka tashmë mori fund.

Tekefundit ishte thuajse e pamundur që tashmë pas tentativës së dështuar me bombë, të mund të vrisje dot arkidukën. “Kjo është vërtet e bukur. Vihet për vizitë në këtë qytet dhe pritesh me bomba”, po turfullonte ndërkohë në godinën e bashkisë i sapombërrituri, Franc Ferdinand. Pasi gjakrat u ftohën, përgjegjësit e sigurisë po planifikonin hapa të mëtejshëm.

Ta largonin arkidukën sa më shpejt nga qyteti, dukej si opsioni më i mirë. Një opsion tjetër thoshte se duheshin dërguar trupa në qytet për të pastruar e siguruar rrugët. Por asnjë nga këto masa nuk u mor. Në vend të tyre, Franc Ferdinandi vendosi të vijonte udhëtimin – në të njëjtën makinë, në të njëjtin pozicion në autokolonë dhe për më tepër, po me kabinë të hapur.

Vetëm rruga në kthim nga bashkia u ndryshua: në vend që të udhëtohej sipas planit, d.m.th. nëpërmjet rrugës Appel-Kai e të ktheheshe në rrugën Franc Jozef e që prej andej të ngjiteshe për në pjesën e vjetër të qytetit, autokolona me trashëgimtarin e fronit duhej të qëndronte në Appel-Kain që dallohej qartë.

Si në pëllëmbë të dorës

Fatkeqësisht, me sa duket, ky informacion jetik nuk ishte marrë nga shoferi që printe autokolonën perandorake – e lëre pastaj nga Franc Ferdinandi dhe Princesha Sofia. Një detaj me pasoja shumë fatale. Tekefundit, të gjithë shoferët kishin marrë urdhrin të ndiqnin makinën e parë që printe autokolonën.

Në vend që të ndiqnin rrugën e re teposhtë Appel-Kait dhe të vazhdonin drejt pa ndalim, makina numër 1, 2 dhe 3, në të cilat ishin ulur çifti i trashëgimtarëve, vijoi në itinerarin që i përgjigjej rrugës së mëparshme, pra asaj në rrugën Franc Jozef. Rreth orës 10.50, makina mbërriti pranë një shitoreje ushqimore të quajtur “Moritz Schiller”, duke u ndalur në qoshen ndanë kryqëzimit. Shoferi ndërkohë ishte hutuar, duke u kujtuar për gabimin e bërë dhe në këtë moment donte të kthehej.

Një klient i dyqanit të erëzave ndërkohë u shtang nga fati që po shihte nga aq pranë çiftin e trashëgimtarëve perandorakë. Plot zhgënjim, pikërisht këtu Gavrilo Princip, atentatori numër pesë, po kërkonte një dozë të fortë guximi për të përmbushur misionin e tij.

Dhe ja ku po qëndronte papritur Franc Ferdinandit, me grykën e pistoletës së tij – që e shihte objektivin e vet si në pëllëmbë të dorës. Princip hapi zjarr nga një distancë shumë e afërt. Dhe ndoshta, nga reagimi plot zhurmë i turmës, mund ta ketë bërë edhe në brekë. Megjithatë, plumbat e tij qëlluan në shenjë: dukesha Sofia mori një plumb në kockat e legenit dhe arkiduka, mu në qafë.

“Sofizë! Sofizë! Mos vdis! Qëndro në jetë për fëmijët tanë!”, duhet t’i ketë pëshpëritur në vesh Franc Ferdinandi së shoqes që po jepte shpirt. Rreth orës 11.00 vdiq edhe vetë trashëgimtari i fronit austriak. Franc Ferdinandi duhej t’i kishte mbetur besnik instinktit të vet. Pak para se çifti të ngjitej sërish në autoveturën e tij, ai duhej t’i ketë thënë të shoqes:

“Më duket se ne sot do të marrim me vete edhe ca plumba”. Në fund, atentati në dukje më diletanti në histori, në një mënyrë shumë paradoksale solli edhe pasojat deri në atë kohë më të paparashikuarat në mbarë historinë njerëzore: vetëm pak javë pas ngjarjes së Sarajevës, gjëmimet e topave e tmerreve të Luftës së Parë Botërore, tronditën paq mbarë Europën.

Publikuar: 29.06.2014 | 14:55
Lexuar: 760 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime