E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Poetja franceze, vargje për pikturat e Omer Kaleshit. Simboli i kokave në telajot që të kujtojnë Ballkanin në zemër të Parisit
Vargje për një burrë si Kaleshi

Laure Cambau

“Nëse je vetëm, je i tëri, nëse je me dikë tjetër, je gjysma, nëse ke pranë dy ose tre të tjerë, atëherë nuk ekziston.” Omer Kaleshi ka zgjedhur këtë shprehje të Leonardo da Vinçit si moto për jetën e tij. Në atelie në Paris, ai është mësuar të komunikojë me tablotë e mëdha apo ndjesinë që i jep ajri që vjen përtej dritareve të studios. Nëse kupton vetminë dhe ti të jetosh me të, atëherë nuk do të kesh më frikë.

Gjatë periudhës së studimeve në Stamboll, ai e ndjeu se vetëm atëherë kur do të mund të gjente komunikimin me vetminë, do të mund të pikturonte. Laure Cambau, poete franceze dhe pianiste, do të donte shumë të shihte piktorin që e kishte tërhequr me tablotë e mëdha, ku kokat e njerëzve i dukeshin si vargjet më të ndiera që kishte lexuar.

Teksa ecte nga një tablo në tjetrën, Laure, që e njeh mirë gjuhën e muzikës (ajo është pianiste), ndiente se po ecte në një kompozim që dukej sikur kishte dalë nga partiturat e shekullit XIX, por që s’mund t’i vinte emër. Ajo donte ta shihte burrin me flokët e pushpuritur dhe vështrim e paqtë, teksa rrëmbente penelat dhe u jepte jetë telajove. Por Omer Kaleshi nuk mund të pikturojë kur dikush tjetër është në studion e tij.

Ai asnjëherë nuk ka pikturuar në grup. Kur dikush vjen në studion e tij, ai do të bisedojë për artin, duke pirë çaj a verë franceze. Përveçse një piktor i mirë, Omer Kaleshi është dhe një mik i madh. Jasques Lacarriere, Alain Bosquet, Kaya Ozsezgin, Nedim Gursel, Luan Starova, Jordan Plevnesh, Luan Rama, Klara Buda, Ozdemir Ince, Gil Jouanard etj., janë vizitorë të studios së tij. Gazetarëve francezë u pëlqen të kalojnë orë të tëra duke biseduar me këtë shqiptar, që me stilin e tij të jetës u kujton Pikason.

“Kur i pashë për herë të parë pikturat e piktorit Kaleshi, mbeta e befasuar. Dukej sikur kisha vizituar studion e një psikologu. Më pas u riktheva shpesh për t’i parë ato piktura, për të kuptuar gjuhën dhe teknikën e veçantë, me atë të së cilës ai i ndërtonte ato», thotë Laure. Kaleshi nuk ka nevojë për modele. Pikturat e tij lindin nga përfytyrimet apo imazhe që i ka parë diku dhe i ka ruajtur thellë në mendje. Raporti me kujtesën është aq perfekt dhe ndihet dhe te pikturat e tij.

Një njohës i mirë i pikturës do të shprehej se tablotë e Omerit kanë nevojë për një kod. Por, Laure Cambau ka gjetur mënyrën e saj për të deshifruar këtë shqiptar të çuditshëm, të cilin pëlqen ta vizitojë shpesh në Paris. Kur kthehej nga takimet me të, ajo ndihej aq e frymëzuar sa ulej e hidhte në letër vargje, të cilat janë ndoshta studimi më i mirë që mund t’i jetë bërë pikturës së Kaleshit.

Vargje që vinin natyrshëm nga brenda saj, për t’u hedhur më pas në letër, si një nevojë për të treguar gjithë atë emocion që ato piktura kishin sjellë te kjo grua.

“Kur kokat e lira takojnë në bulevard / kokat e prera / një kuvendim ndodh mes tyre / njëra kullon gjak / tjetra jo / nga atelieri te podiumi i ngritur / nga kavaleti te gijotina / nuk i ndan veçse një hap / dhe rojet e burgut / rojet që nuk ruajnë asgjë / vështrojnë gjetiu / në anën tjetër të ujit mbi kalldrëm / të ujit gri nga gjaku i vjetër i ndryshkur / rojet që nuk ruajnë më asgjë / shënojnë fjalët e kokave ….”, shkruan ajo në poezinë kokat.

Omer Kaleshi duket se e ka marrë me vete Ballkanin në Paris. Historitë që ai tregon në telajo, simboli i kokave duket sikur vjen nga larg, shumë larg e ulet në këtë cep të studios së tij. Njeriu nuk mund t’i shmanget asnjëherë historisë së tij sado larg të shkojë. “Nga vijnë këto koka, ç’kërkojnë … të largët, si të pjella nga një kujtesë tejhistorike, shtillen njëra pas tjetrës, me atë ndriçim që e kanë thithur përbrenda”, do të shkruante për pikturat e Kaleshit, shkrimtari Ismail Kadare.

Mimoza Ahmeti do të shprehej pas vizitës në studion e tij se: “Po kthehesha nga studioja-banesë e Omer Kaleshit, edhe tani siluetën e tij dua në vend të tij: s’më kish bërë vaki t’i dashuroj njeriu siluetën, ndërsa vetë të zotin ta shoh si mbushje të saj …”.

Laure e ndien këtë, teksa shkruan se “kokat e lira dhe të pastra / kokat shëtitëse / dervish e barinj / pikëtakojnë kokat e shkëputura / e të përgjakura të Avril dhe Lacenaire / e lodhur koka e banditit të shkolluar / që vendoset mbi një trung të sëmurë / Omeri kalon si një ëngjëll piktor / dhe me një të rënë spatula / na kthen kokat e trungjeve / na kthen trungjet e kokave / u kthen drejtësinë dervishëve dhe keqbërësve / rakia bie nga qielli dhe përzihet me absintin / një përzierje lëngu ballkanik e parizian /rrjedh nga goja më gojë / nga gryka në trung mbi bulevard / njëra kullon gjak / tjetra jo …”. “Kokat e mia janë të gjallë”, do të shprehej Kaleshi. Imazhet për të pikturuar koka, nisi tek ai që në pikturat e para.

Kur miku i tij, piktori Eduard Pinjini i tha se pikturat e tij i ngjasonin si piktura të prera, ai vendosi t’i vishte ato. “Kokat nuk janë portrete, sepse nuk kanë model. Janë të pavarura nga trupi, por s’janë të prera, janë të gjalla.

Njerëzit kur shohin një kokë, mendojnë që është e prerë. Por në të vërtetë kokat e mia s’janë të tilla, aty s’ka gjak, pasi janë të gjalla”, shprehet piktori. Gjithçka ndodh në mendje, sipas Kaleshit. Një njeri mund ta kuptosh nga vështrimi apo lëvizja e buzëve, pa ia parë trupin. Trupi shpesh është çfarë është mendja. Ndonjëherë këto piktura janë vetëm një mendim.

Piktorit mund t’i ndodhë që teksa ecën në rrugët e Parisit, të orvatë në mendje një mendim, dhe kur ndodhet vetëm në atelienë e madhe, ta hedhë në telajo. Ajo merr portretin e një njeriu, që rri i vetëm në hapësirën e madhe të bardhë të telajos. E bardha është një ngjyrë që atij i pëlqen ta vendosë në pikturë, si një zbutje që i bën shpesh shqetësimit që japin këto piktura.

Për Laure-n e bardha është si një poezi. “Është si një fletë e bardhë bosh ku mund të hedhësh mendimet e tua”, thotë Laure. Kaleshi e ka bërë poeten të hedhë vështrimin larg nga Shqipëria dhe ta vizitojë shpesh kohët e fundit, duke mësuar më shumë nga historia dhe kultura e këtij vendi, që prodhon artistë të tillë. Por nëse sheh me kujdes pikturat e Kaleshit, gjen në to shenjat e përshtypjeve të tij të para, nga arti që ndikoi në karrierën e tij.

Ashtu si Henri Moore, artisti i dimensioneve të mëdha që merret me njeriun, dhe Kaleshi në pikturat e tij merret me qenien njerëzore. Henri Moore është si një totem për të. Nëse skulptori i njohur nuk do të kishte vizituar Beogradin në vitin 1955, ndoshta dhe Omeri nuk do të ishte bërë piktor. Duket sikur Moore shkoi në Beograd për t’i dhënë një shenjë, djaloshit 23-vjeçar nga Shkupi, se e ardhmja e tij nuk ishte profesioni i elektricistit që bënte deri në atë moment, por arti.

Skulpturat e Moore ishin vendosur në pika të rëndësishme të trashëgimisë nëpër Serbi. Kur Omeri pa për herë të parë skulpturat në hamamin e Daut Pashës, do të kalonte muaj të tërë duke sjellë në mendje ato skulptura. Duket se rruga e tij drejt artit, nisi pikërisht atë mbrëmje, teksa shihte njerëzit që shtyheshin për të parë punët e Moore.

“Kavaleti i tij shpon zinkun / gudulis qiellin parizian / dhe retë bien / në formë kokash / me aromën e së kuqes dhe ngrohtësinë / e ajrit të qytetit / kavaleti / me këmbët në shtratin e lumit të Bièvre-s / ngulur si një pemë në lartësitë e thella të bulevardit…”, shkruan Laure. Poetët nuk ndryshojnë shumë nga piktorët. Nëse të parët përpiqen të depërtojnë te shpirti përmes vargjeve, piktorët e bëjnë përmes ngjyrave. Nëse Omer Kaleshi depërton përmes telajos si një mjeshtër i subjekteve që zgjedh, subjekti i Laure-s për të depërtuar është pikërisht ai, piktori që mbështillet nga një tis misteri sa herë ajo e viziton në studio. Me aftësinë që kanë poetët, ajo duket sikur ka zbërthyer kodin e pathyeshëm mes tij dhe pikturës te poezia me titullin “Spatula”, duke zbuluar dhe sekretin e Kaleshit. / Mjeshtri yt të tha / zgjidh dhe ti një mjeshtër / zgjidh një ngjyrë / ti zgjodhe të kuqen / dhe e përzier me dyqind e pesëdhjetë tonë / nga spatula tënde / një ditë të bukur ajo erdhi / në dorën tënde / ti nuk e di se kur dhe ku / dhe që prej pesëdhjetë vjetësh / nuk e ke ndarë më nga vetja / ti nuk zgjodhe thikën / sepse ti nuk doje t’i vrisje kokat e tua / por veç vendosje në telajo / penelat kalojnë spatula mbetet / e fuqishme dhe me gjurmën e gishtit të piktorit / dhe në të kuqet e përziera / imagjinojmë gjurmën / e magjistarit që na zbulon kokat …” Laure ka gjetur vendin e tij të lindjes, historinë që e ka zbuluar dalëngadalë në libra në pikturat e Kaleshit.

Në to është historia e një vendi gjithnjë në përpjekje për t’ia dalë, i sjellë keq nga historia. Ajo ka parë në ato piktura, djaloshin e lindur në Sërbinicë, pranë Shkupit, udhëtimin e tij bashkë me familjen në Stamboll, e më pas Parisin … Këtu djaloshi gjeti paqen dhe futi në këtë atelie të shkuarën, duke e ngjallur telajo pas telajo, përmes këtyre kokave, që të kujtojnë ujërat e trazuara në Ballkan. Laure e ndien se nëse Ballkani vijon të jetë një burim frymëzimi për Kaleshin, për të, ky burrë që i fsheh aq mirë vitet dhe pse i ka kaluar të 80-at, është një poezi që merr trajtë në vargje të ndryshme që i lindin natyrshëm sa herë e sheh … Omer Kaleshi lindi më 1932, në Kërçovë të Maqedonisë.

Omer Kaleshi pas shumë udhëtimesh, pikturimesh dhe ekspozimesh në Stamboll, Romë, Vjenë, Munih, Londër, Selanik, Beograd, Hagë etj., në vitin 1956 vendoset përfundimisht në Paris, ku vazhdon të krijojë, ekspozojë dhe të jetë vazhdimisht i kërkuar për tablotë e tij.

Publikuar: 19.08.2014 | 14:48
Lexuar: 881 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime