E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Kosova dhe Shqipëria janë pajtuar që brenda gjashtë muajve të unifikojnë doganat, të heqin tarifën e roamingut në kuadër të telekomunikimt si dhe të heqin tarifat doganore.
Haradinaj e Rama zotohen për heqjen e taksave, roamingut dhe unifikimin e doganave


Këto ishin vetëm disa nga vendimet që u konfirmuan me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve dhe protokolleve në kuadër të mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë të mbajtur sot në Pejë.

Aty, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama thanë se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është më se i domosdoshëm.

Kryeministri Haradinaj tha se qytetarët në Kosovë e Shqipëri presin edhe më shumë nga të dy qeveritë, por këtë nënshkrim marrëveshjesh ai tha se e sheh si fillim të konkretizimit të prioriteteve të kahershme nga të dyja palët.

“Ajo që e shquan Kosovën është rreshtimi me SHBA-në si një faktor prijës global dhe me aleatët tanë strategjik. Shqipëria çdo herë ka mund të llogaritë në Kosovën dhe çdo herë ka të drejtë të llogaritë në Kosovën, por edhe Kosova çdo herë ka llogaritë në Shqipërinë dhe kjo është dëshmuar edhe në vitin 1999, në ditët më të vështira të jetës sonë si komb”, tha Haradinaj, raporton rel.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vendosja e taksës doganore në shifrën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, sipas kryeministrit Edi Rama ishte reagim ndaj padrejtësive që i bëhen Kosovës, shpesh herë edhe me mbështetjen e vendeve të ndryshme evropiane.

Përderisa i dha mbështetje tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, Rama tha se brenda një kohe të shkurtë, Kosova dhe Shqipëria do të kenë tarifa zero si dhe unifikim të plotë të doganave.

“Sot është koha për të vënë tarifa 100 për qind në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës. Së dyti, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor, transit më 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën dhe hapat e tjerë brenda gjashtë mujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor. Kush e konsideron këtë si kërcënim, qoftë në Beograd apo Bruksel është i mirëpritur të vij, të ulet në tavolinë e t’ia shpjegojmë se nuk është kërcënim por është një ftesë që të gjithë të tjerët të marrin shembull nga ky bashkëpunim dhe Serbia e para të ndjek shembullin e këtij bashkëpunimi”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama kërkoi që Prishtina dhe Tirana të krijojnë një fond të përbashkët për funksionimin e politikës së jashtme, e cila do të ndihmonte integrimin e të dy shteteve në Bashkimin Evropian, deri në vitin 2025.

Ndryshe, ky është takimi i pestë i përbashkët i të dy qeverive. Herën e parë ato mbajtën takim të përbashkët në Prizren, në vitin 2014, ndërsa një vit më pas, në Tiranë është mbajtur takimi i dytë. Takimi i tretë në Prishtinë, kurse vitin e kaluar është mbajtur në qytetin e Korçës në Shqipëri.

Publikuar: 26.11.2018 | 14:31
Lexuar: 99 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:





Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime