E premte, 14.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

I kemi të gjithë nëpër xhepa mjetet e spiunëve të kohëve moderne. Kamera në orë dore dhe përgjues në valixhe. Spiunazhi ka patur gjithmonë shumë imagjinatë. Sot, jemi të gjithë të pajisur për pakëz spiunazh.
Spiunë si ne






Është një bashkëbisedim që mund të ishte nxjerrë direkt nga faqet e një romani të Ian Fleming. "Më falni, a mund të ishim takuar në Maltë në 1999?" "Po, në të vërtetë kam qenë në La Valetta, por në 2000". Por ky bashkëbisedim nuk është letërsi. Ishte një bashkëbisedim i paracaktuar që ndodhi në Romë në fillim të këtij viti, mes dy burrave. Njëri ishte zyrtar i Shërbimit të Fshehtë të Jashtëm të Rusisë, SVR, tjetri një spiun rus që kishte jetuar në SHBA që nga mesi i viteve '90 dhe që përdorte emrin e rremë Richard Murphy.

Bashkëbisedimi - i përdorur nga dy burrat për identifikuar njëri-tjetrin - është i raportuar në dokumentet që Fbi i ka dorëzuar gjykatave të SHBA pas një hetimi shumë të gjatë të një rrjeti rus spiunazhi që operonte në SHBA. Hetimi përfundoi me dëbimin e dhjetë spiunëve në Rusi në këmbim të katër rusëve që ishin akuzuar se kishin spiunuar për SHBA dhe shërbimet e fshehtë britanikë. Një tjetër person, që mendohet se ishte financuesi i rrjetit rus të spiunazhit dhe që jetonte në Qipro, u arratis. Ky rast tërhoqi një vëmendje të jashtëzakonshme të medias dhe ai shërben për të kujtuar se dy dekada pas fundit të Luftës së Ftohtë, spiunët vazhdojnë të ekzistojnë, edhe me teknologjinë e kohëve të sotme, si satelitët spiunë dhe avionët spiunë.

"Janë disa gjëra të veçanta që të duhen, të cilat në të vërtetë vetëm një qenie njerëzore mund të t'i japë", thotë Dr. Paul Maddrell, një ekspert mbi shërbimin e fshehtë në Universitetin e Aberystwyth. "Pra, pavarësisht të gjithë avionëve spiunë dhe mjeteve të tjerë, sërish të duhen njerëzit". Në faqen e internetit, MI5 vlerëson se të paktën 20 shërbime të huaj operojnë në shkallë të ndryshme kundër interesave të Mbretërisë së Bashkuar. "Më shqetësuesit janë rusët dhe kinezët", shton njoftimi.

Misioni yt është...

Një mesazh i dërguar dy spiunëve në SHBA, "Richard" dhe "Cynthia Murphy", nga SVR, shpjegon në terma të pagabueshëm se cili është misioni i tyre: "Ju jeni dërguar në SHBA për një udhëtim të gjatë shërbimi. Arsimi juaj, llogaritë bankare, shtëpia, makina etj., të gjitha këto i shërbejnë një qëllimi: përmbushni misionin tuaj kryesor, domethënë kërkoni dhe krijoni lidhje në qarqe politikëbërës në SHBA dhe dërgoni raporte dhe informacione në C (qendra e SVR në Moskë). FBI thotë se plani për spiunët ishte që ata të rekrutonin njerëz (asete) që janë brenda ose në gjendje të infiltrojnë në këto qarqe politikëbërës.

Ajo që e bën më intrigues këtë rast është dritarja që ai hap ndaj teknikave që përdoren nga spiunët e kohëve moderne - teknologjia e përdorur për të dërguar këto informacione tek shefat në Moskë. Tani është e drejtë të thuhet se kemi patur një farë ideje mbi teknologjinë moderne të spiunazhit. Një prej më të fundmeve dhe më të çuditshmeve është një gur që rusët akuzuan britanikët se e kishin hedhur në një rrugë në Moskë në vitin 2006. Thuhet se guri fshihte një radio transmetues. Rusët pretendonin se një agjend mund të kishte hedhur në të informacione dhe më pas një pjesëtar i stafit të ambasadës, që kalonte aty pranë do të merrte më pas informacionin duke përdorur një kompjuter portabël, që do të ishte shumë krenar. Por kjo është hera e parë në historinë moderne që janë zbuluar kaq shumë detaje.

Dokumentet e dorëzuara në gjykata të Nju Jorkut përshkruajnë se si agjentë të FBI hynë në shtëpitë ku jetonin rusët. Ndërkohë që kërkonin një shtëpi në Nju Xhersi, ata zbuluan disqe kompjuterësh që më pas u zbulua se përmbanin programe steganografie, të krijuar nga shërbimi i fshehtë rus. Steganografia ka të bëjë me fshehjen e një mesazhi sekret brenda një fotografie - kaq mirë, saqë fotoja duket krejt e paprekur për syrin e zakonshëm. Spiunët vendosën fotografi që përmbanin mesazhe të fshehtë nëpër faqe interneti, me qëllim që këto të analizoheshin në Moskë. Çdokush mund t'i merrte në internet këto fotografi, por mesazhin vetëm një grusht njerëzish mund ta kuptonin.

Steve Bellovin, profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin e Columbias, thotë se ky është rasti i parë i konfirmuar i përdorimit të steganografisë përmes internetit. "Ideja e fshehjes së gjërave në fotografi në internet është përmendur prej vitesh, por ky është rasti i parë i vërtetuar".

Fakti që steganografia është kaq e vështirë të zbulohet e bën atë teknikën e preferuar. "Edhe nëse autoritetet nisin e dyshojnë dhe shohin faqen e internetit, gjithë sa mund të shohin janë fotografi pushimesh, fëmijët. Nëse nuk e dinë se çfarë po kërkojnë, ata nuk do të mund ta dallojnë", thotë Bellovin. Por në këtë rast, pasi kontrolluan shtëpitë dhe zbuluan programet e steganografisë, si dhe lidhjet me faqe të ndryshme interneti në një kompjuter, autoritetet e SHBA e dinin me saktësi se çfarë po kërkonin.

Ndonëse rusët përdornin programet kompjuterikë të steganografisë që vetë SVR kishte krijuar, programe të tjerë që po bëjnë pikërisht të njëjtën gjë mund t'i gjesh me lehtësi. Një prej spiuneve, e mrekullueshmja Anna Chapman, u pikas nga agjentë të FBI tek përdorte një tjetër pajisje - një laptop me një lidhje wireless interneti - për t'i transferuar të dhëna një zyrtari të qeverisë ruse. Dokumentet në gjykatë thonë se 19 të diela rresht mes janarit dhe qershorit të këtij viti, ajo është parë "fizikisht pranë" një zyrtari të qeverisë ruse. Chapman shkonte dhe ulej në një kafene apo një librari në Manhattan.

Ndonjëherë zyrtari rus kalonte aty pranë në një mikrobus, ndonjëherë kalonte në këmbë me një valixhe në dorë. Chapman transferonte të dhëna tek laptopi i zyrtarit përmes një lidhjeje të thjeshtë mes dy kompjuterëve. Kjo duhej të kishte qenë më e sigurtë se transferimi i të dhënave në internet. Por FBI ishte vënë tashmë në gjurmë të Chapman.

Provat e FBI zbulojnë se kompjuteri i shtëpisë, laptopi, karta e memories si dhe karta telefonike janë armët e preferuara për spiunët e sotëm dhe ata kanë disa avantazhe.

"E fundmja gjë me të cilën një spiun do të kapet është ndonjë lloj teknologjie e pashpjegueshme", thotë Bart Bechtel, që ka punuar 20 vjet si oficer i CIA në Turqi dhe në Indonezi, veç vendeve të tjerë. "Le të themi që padashje pëson një aksident me makinë, je i pavetëdijshëm dhe aty vijnë policët dhe ndihma e shpejtë. Ata kërkojnë dokumente identifikimi, sepse duhet të lajmërojnë dikë. Por në xhepa të gjejnë ndonjë pajisje të çuditshme dhe menjëherë fillojnë e të bëjnë një seri krejt të ndryshme pyetjesh".

Përgjatë gjithë Luftës së Ftohtë, agjencitë qeveritare të spiunazhit kanë patur laboratorët e tyre ku krijonin pajisje me një imagjinatë mbresëlënëse. Por ritmi me të cilin ka ndryshuar teknologjia civile në vitet e fundit ka bërë që shërbimet e fshehtë të ndjekin një tjetër rrugë. "Rreth 10 vjet më parë, CIA bëri të ditur se laboratorët e saj nuk mundeshin aspak që të qëndronin një hap përpara teknologjisë moderne, kështu që ata pushuan së bëri atë punë dhe krijuan një kompani të quajtur In-Q-Tel, e cila financonte kompani të tjera për të bërë pikërisht këtë punë". Investimet e In-Q-Tel kanë përfshirë Attensity Group, një kompani që prodhon programe kompjuterikë për të shkëputur fakte dhe opinione nga forume në internet dhe media sociale. Është edhe MotionDSP, që ka krijuar programe për rritjen e cilësisë së filmimeve.

Teknologjia e komunikimit e kohëve të sotme paraqet një sërë shansesh për spiunët modernë. Sujeet Shenoi, një profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin e Tulsas, dikur ka qenë në një bord këshillimor të FBI. Sot, ai punon "shumë ngushtë me agjenci tamam si FBI", ndonëse nuk pranon të zbulojë se cilat janë këto agjenci. Ai thotë se shërbimi falas i e-mailit i Google, Gmail, mund të përdoret për një sërë qëllimesh të ligë. "Mund të kesh një adresë të zakonshme. Pastaj më jep mua emrin dhe fjalëkalimin e saj dhe unë krijoj një draft. Jo një e-mail, por një draft. Më pas, ti shkon dhe hyn tek e njëjta adresë e-maili dhe lexon draftin. Ai mesazh nuk dërgohet dhe agjencitë e shërbimeve të fshehtë e kanë pothuajse të pamundur ta pikasin".

Ai thotë se edhe Google Voice mund të përdoret për çdokënd të angazhuar në punë të fshehta - mund të programohet në mënyrë të tillë që rënia e një numri mund të bëjë që të bien disa telefona, apo një telefon në një vendndodhje të caktuar. "Qeveria mund të jetë duke monitoruar telefonin tënd, por jo telefona të tjerë. Mund të jetë një telefon në një dyqan apo një stacion hekurudhor".

Shenoi thotë se pajisjet që mund të blihen qoftë edhe në aeroporte mund të transformohen në mjete të dobishëm spiunazhi. "Për shembull, ka syze me mp3 player me idenë që t'i mbash në sy dhe të dëgjosh muzikë", thotë Shenoi. "Ka njerëz që e kanë hequr këtë mp3 playerin dhe e vendosin në bankomat dhe me anë të këtij kapin informacione mbi kartën e kreditit".

Ndonëse për rastin në fjalë FBI ka qenë jashtëzakonisht shumë e hapur në dokumentet e gjykatës që ka dorëzuar, Shenoi thotë se me shumë gjasa, për disa gjëra ne nuk do të marrim vesh asgjë, asnjëherë. "FBI nuk e jep të gjithë informacionin", thotë ai. "Ata me shumë gjasa paraqesin pikërisht aq informacione sa nevojiten për t'i dënuar. Jam i sigurtë që ka shumë më tepër dhe ajo që shohim është vetëm maja e ajsbergut".

Shenoi është përgjegjës për programin Cyber Corps të Uinversitetit të Tulsas - një nismë qeveritare që synon të rekrutojë mendjet më të ndritura në Teknologjinë e Informacionit, të cilët do të përdoren për të penguar vendet e tjerë që të shtien në duar informacione sensitivë si dhe do të ndihmojnë shërbimet e fshehtë të SHBA. Në faqen e internetit të Cyber Corps thuhet se studentët e vet janë punësuar në CIA dhe FBI. "Rrjedhshmëria dhe gjuha ekzotike janë një aset i domosdoshëm!"

Sa për të ardhmen e teknologjisë së spiunazhit, që tani po fillojmë të shohim ndryshimet. Një libër që flet për evolucionin e teknologjisë amerikane të spiunazhit, Spycraft me autor Robert Wallace dhe H Keith Melton, përfshin një fotografi me 20 mjete amerikane spiunazhi të kapura nga rusët gjatë viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë.

Tregon gjithashtu një aparat fotografik të fshehur brenda një kutie boje stilografi dhe një blloku me letër speciale për shënime të fshehtë. "Sot, praktikisht të gjithë funksionet e të gjithë atyre pajisjeve mund të realizohen vetëm me një iPhone", thotë Melton. "Një telefon me programe brenda të shndërrohet në aparat fotografik, në pajisje komunikimi me valë të shkurtra. Është konvergjencë dixhitale". Është një ndryshim që edhe Shenoi e pranon. "Individi i zakonshëm ka më shumë pajisje spiunazhi dhe aftësi të kryerjes së spiunazhit me to nga sa kanë patur të gjithë agjencitë e shërbimeve të fshehtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo ndoshta edhe gjatë viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë". Por oficeri i CIA në pension Bechtel, që tashmë drejton SpyCruise, një organizatë që kryen konferenca dhe bisedime për spiunazhin gjatë udhëtimeve me anije thotë: "Personalisht mendoj se një mbështetje e tepruar tek teknologjia është e rrezikshme. Për këtë, nuk mund të ketë një shembull më të qartë se sa ai i spiunëve rusë", thotë ai. "Me sa duket, ata lanë pas të çara të shumta. Mendoj se ajo çfarë mund të kish ndodhur nga ana e atyre në Moskë, është një nënvlerësim.

Ata mund të kenë menduar se tashmë FBI është e fokusuar tek kundër-terrorizmi - pra ne mund të bëjmë më shumë dhe t'ia hedhim më kollaj. Njerëzit bien në dashuri me teknologjinë, por malli më i mirë është ai që është provuar dhe testuar - duhet të dish se cilët janë asetet që ke dhe t'i mbash gjallë ata".

Mjetet që kanë spiunët sot

Spiunët rusë përdorën një përzierje teknikash të reja dhe tradicionale për të dërguar informacionin në Moskë

STEGANOGRAFIA

Në kuptimin më të gjerë, steganografia është teknika e fshehjes së një mesazhi në mënyrë të tillë që vetëm dërguesi dhe marrësi dinë ekzistencën e tij. Nuk është koncept i ri. Në Greqinë e lashtë, për shembull, një mesazh bëhej tatuazh në kokën e rruar të një skllavi. Më pas atij i rriteshin flokët, duke mbuluar mesazhin, që më pas marrësi e lexonte duke i rruar sërish kokën skllavit.

Por që atëherë gjërat kanë ndryshuar pakëz. Steganografia dixhitale e përdorur nga rusët ka të bëjë me ndryshimin e një fotografie për të fshehur mesazhin. Procesi për ta bërë këtë është shumë i mprehtë. Kompjuterët i vendosin çdo pixel-i të një fotografie një vlerë numerike bazuar në sasinë e ngjyrave të kuqe, jeshile dhe blu që ai ka nevojë të shfaqë. Mesazhi, një copë tekst, do të përfaqësohet gjithashtu nga figura në kompjuter.

Programet e steganografisë marrin shifrat në fotografinë origjinale dhe kështu numrat e mesazhit janë të koduar në një mënyrë specifike. Nëse marrësi i mesazhit ka të njëjtin program, atëherë ai mund të rimarrë numrat e mesazhit - domethënë edhe vetë mesazhin. Gjëja më e rëndësishme, për të shmangur zbulimin nga armiku, është se drita dhe ngjyrosja e pixel-ave në fotografinë origjinale ndryshohen kaq pak, saqë ndryshimet nuk mund të dallohen nga syri i zakonshëm.

Dosjet e kopjuara nga një prej kompjuterëve të zbuluar nga kërkimet e FBI në shtëpitë e spiunëve përfshinin lidhje me faqe interneti. Këto faqe interneti përmbanin lidhje me faqe të tjera interneti të cilat përmbanin fotografi të ndryshuara me teknikën e steganografisë.

SPIUNAZH WI-FI

Nëse përdor laptopin në një hapësirë publike dhe dëshiron të hysh në internet, zakonisht lidhesh me një antenë Wi-Fi që mund të jetë e disponueshme. Por spiunia Anna Chapman, që shkonte e ulej në një kafene apo librari në Manhattan, e shndërronte kompjuterin e saj në një hotspot (antenë) me të cilën mund të lidhej një tjetër individ, një zyrtar rus. Më pas, programet e parregulluar transferonin të dhënat nga kompjuteri i Chapman tek ai i zyrtarit rus. "Nuk i di detajet e laptopit që ajo po përdorte, por zakonisht ajo çfarë kërkohet tek Wi-Fi është diçka që quhet ad hoc mode", thotë Steve Bellovin, profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin e Columbias. "Kur e bën këtë, laptopi yt shndërorohet në një hotspot". Ky rrjet kompjuterik mendohet të jetë më i sigurtë se sa thjeshtë transferimi i të dhënave përmes internetit.

BOJË E PADUKSHME

Sërish, boja e padukshme nuk është një ide e re, por gjithsesi është shumë e përdorur sidomos nga rusët. Në shtëpinë e tyre të përgjuar në Nju Jork, një prej spiunëve u dëgjua tek përdorte fjalën "e padukshme" si dhe diçka që i ishte dhënë dikujt në një libër. FBI thotë se bashkëbisedimi ka të bëjë me një udhëtim të planifikuar në një vend në Amerikën e Jugut, aty ku informacioni do t'i jepej një tjetër agjenti rus.

Në dokumentet e gjykatës të dorëzuara nga FBI, nuk ka detaje se çfarë lloj boje e padukshme u përdor me saktësi - pra nëse e dinë, ata nuk tregojnë. Shumica e sistemeve përdorin një bojë që thahet dhe zhduket dhe më pas diçka tjetër e bën mesazhin të rishfaqet. Lëngu i limonit shërben si bojë që më pas rishfaqet nën nxehtësinë e një llampe apo qiriri.

RADIO ME VALË TË SHKURTRA

Spiunët rusë përodrën disa pajisje të reja spiunazhi të shekullit XXI. Por ata përdorën edhe radiot me valë të shkrurtra, të përdorura nga spiunët që në vitet pesëdhjetë.

Duke përgjuar shtëpinë e dy spiunëve në Nju Jork, FBI dëgjoi "tinguj elektronikë klikues". Transmetimi nga Moska tek spiunët do të kishte tingëlluar si kodi Mors, por me shumë gjasa ka qenë kërcitje e shkurtër numrash, të lexuar përmes një zëri të gjeneruar nga kompjuteri. Këto do të kishin qenë shumë të vështirë të pikaseshin nga autoritetet - sigurisht nëse këta nuk do të ishin duke përgjuar shtëpinë e spiunëve. Më pas këto numra do të përktheheshin në një mesazh përmes një kodi deskriptues.

Përse spiun?

Në mendjen e një agjenti të huaj


Gjatë dekadës së kaluar ka patur një ndryshim radikal në arsyet që i motivojnë njerëzit për të spiunuar. Historikisht, sidomos gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Ftohtë, spiunazhi kryhej për arsye politike apo ideologjike. Kjo vlen edhe për ata që informonin kundër vendeve të tyre apo edhe kundër agjencive në të cilat punonin.

"Rusët e kapur në SHBA janë një grup krejt i ndryshëm", thotë një ekspert i psikologjisë së spiunit që preferon të njihet thjeshtë si "Dr V" - "pasi dua të punoj edhe disa vite të tjerë", thotë. Ideologjia nuk është aq e rëndësishme për spiunët e sotëm. "Gjithçka ndryshoi në fundin e viteve tetëdhjetë dhe spiunazhi kryhej kryesisht për arsye monetare dhe sot e kësaj dite ky mbetet faktori kryesor motivues. Rusët e kapur kohët e fundit operonin nga këndvështrimi që kjo ishte puna e tyre. Ata ishin përzgjedhur dhe trainuar nga shërbimi i SVR dhe u hodhën në veprim. Detyra e tyre ishin të gjenin vendin e tyre në komunitetin lokal, të ndërtonin raporte dhe të kishin akses tek individë të ndryshëm".

Dr V, një psikolog klinik ka kaluar dhjetë vite duke shkruajtur vlerësime psikologjike të udhëheqësve botërore dhe rekrutëve të rinj të shërbimeve të fshehtë. Ai thotë se spiunazhi do të ketë qenë një propozim tërheqës për rusët. "Përfitimi ishte që do të jetonin në Perëndim, në SHBA, do të kishin një jetë të lirë... gjithçka të siguruar prej shërbimit të fshehtë rus".

Si të kapësh një spiun

FBI luftoi teknologjinë moderne ruse të spiunazhit me teknologji të sajën

Për shumë vite, FBI i kishte sytë dhe veshët të fokusuar në rrjetin rus të spiunazhit. U vendosën përgjues në apartamentet e disa prej pjesëtarëve të tij, u vendosën kamera përgjimi në vende publikë dhe dhoma hoteli, si dhe u monitoruan telefonatat dhe e-mailet e tyre.

Që në 2005, agjentë të FBI hynë edhe në shtëpitë e disa prej spiunëve dhe fotografuan prova si dhe kopjuan hard disk-ët e kompjuterëve. Këto kërkime rezultuan shumë të dobishme pasi spiunët ishin treguar shumë të pakujdesshëm për gjërat që kishin lënë rretherrotull.

Duke kërkuar një shtëpi në Nju Xhersi, agjentët e FBI gjetën udhëzimet "alt", "control", "e" në një copë letër si dhe një seri me 27 gërma. Më pas, u zbulua se këto gërma përdoreshin për të hapur disqe me fjalëkalime që FBI kishte kopjuar. Në këto disqe, më pas u gjet programi i steganografisë që rusët përdornin për të transmetuar mesazhe të fshehtë. Falë këtij programi, FBI ishte në gjendje të lexonte më shumë se 100 mesazhe.

Gjatë një tjetër kërkimi në shtëpinë e një spiuni në Boston, u gjetën disqe kompjuterikë që përmbanin mesazhe të fshirë. Kur diçka fshihet në një kompjuter, thjesht hiqet emri, të dhënat mbeten derisa mbishkruhen. Kështu, FBI ishte në gjendje të rigjente të dhënat - drafte mesazhesh të dërguar tek SVR në Moskë përmes steganografisë. Thjesht duke përdorur një program të mbishkrimit të të dhënave, spiunët do të kishin qenë në gjendje të fshinin një herë e mirë mesazhet.

Kur Anna Chapman i kalonte mesazhe agjentit tjetër nga një kafene apo librari në Nju Jork, ajo nuk e dinte se FBI i qe vënë pas. FBI arriti të pikasë minirrjetin që ata kishin krijuar, duke përdorur një program apostafat për këtë punë të cilin e gjen kollaj kushdo në internet. Sa herë që këta lidheshin, FBI ishte në gjendje të dallonte Media Acess Control (MAC) e tyre - numra unikë që identifikojnë një kompjuter në një rrjet.

Nëse të dy spiunët do të kishin ndryshuar adresat e MAC në kompjuterët e tyre, atëherë shkëmbimet mes tyre do të bëheshin shumë të vështirë për t'u gjurmuar.

PAJISJET

Nuk është e thënë të punosh për MI6, për të shtënë në duar disa pajisje shumë të dobishme spiunazhi

DEGJO PERMES MUREVE

Ky amplifikator kontaktesh thuhet se ka aftësinë të dëgjojë biseda përmes mureve të betonit deri në 30 centimetra të trashë.

Listen through walls Device

140 sterlina

REGJISTRUES ZERI

Nëse ka një ndërlidhje shumë të rëndësishme të cilën dëshiron ta regjistrosh, atëherë një orë me regjistrues zëri është mjeti i duhur. Vetëm shtypja e një butoni do të bëjë që pajisja të fillojë të regjistrojë dhe me një memorie 2 GB mund të regjistrosh 36 orë pa ndërprerje.

2GB Mp3 Plazer Spy Voice Recorder

Quarty Watch

78 stërlina

GJURMIMI

Nëse dëshiron të dish vazhdimisht se ku ndodhet dikush, atëherë ky gjurmues GP të mbaron punë. Ai mund të fshihet brenda një makine, për shembull, duke të lejuar të shohësh se ku ka shkuar deri për 300 orë. Thjesht hiq pajisjen dhe më pas gjen se ku ka shkuar personi me anë të Google Maps.

GPS Vehicle Car Tracking Kez System

199 sterlina

MONITORIM KOMPJUTERI

Është e thjeshtë tashmë të gjesh me saktësi se çfarë ka shkruajtur dikush, me këtë pajisje që quhet keystroke logger. Vendos USB e tastierës në pjesën e pasme dhe më pas lidhe me një prej portave të USB prapa kompjuterit. Ai regjistron çdo tastë që është shtypur dhe kështu më pas mund të kontrollosh e-mailet, veprimtarinë në internet dhe çdo dokument që është shkruajtur.

Computer Keystroke Logger USB

67 sterlina

Publikuar: 04.10.2010 | 10:48
Lexuar: 1586 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime