E hënë, 10.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

- Golashënuesi më i mirë i ekipit kombëtar në vite, Alban Bushi ka vendosur të lërë futbollin -.
Profil/ Sfidat dhe surprizat profesionale të Alban Bushit




Gjergji Mima

- Golashënuesi më i mirë i ekipit kombëtar në vite, Alban Bushi ka vendosur zyrtarisht të lërë futbollin.

Megjithëse këtë sezon Alban Bushi është pjesë e Tiranës, e asaj Tirane, ku nisi karrierën e tij të gjatë sportive, që ishte burim frymëzimi për të, kudo ku luajti, sepse, siç thotë edhe vetë, "kam luajtur me shumë skuadra, megjithatë, zemra gjithmonë më ka rrahur për fanellën bardheblu", ai sërish ka vendosur "të varë këpucët në gozhdë".

Në karrierën e tij të gjatë, Alban Bushi ka qenë edhe pjesë e kampionatit grek, e atij kampionati ku ka provuar shkëlqimin dhe zhgënjimin e tij. Bushi ka ndiere gëzimin e të vlerësuarit "futbollisti më i mirë", por njëkohësisht ka provuar, si askush tjetër, edhe ndëshkimin e një gjykate.

Megjithatë, Greqia për të mbetet një nga vendet më të dashura, sepse ka kaluar një nga pjesët më të arta të karrierës së tij sportive. Por, veç të tjerave, siç thotë edhe vetë, "Greqia do të mbetet nga vendet, që nuk do ta harroj kurrë, pavarësisht nga incidentet e vogla, që kam pasur, sepse, dua apo nuk dua unë, Greqia është vendlindja e fëmijëve të mi".

Ka qenë sezoni 1997-1998, kur Alban Bushi, së bashku me ish-futbollistin e njohur Ilir Shulku, u bë pjesë e Apollonit të Athinës, i cili kishte thuajse një vit, që në gjirin e vet nuk kishte futbollistë shqiptarë. Bushi tregoi potencën e vet dhe në 13 ndeshje, që u aktivizua, shënoi 3 gola. Por, pikërisht pas shënimit të këtij goli të tretë, futbollisti ynë thuajse bëri ndarjen me Apollonin.

Nëse goli i Bushit ishte rrjedhojë e një loje të shkëlqyer, që ai po bënte, trajneri i atëhershëm i Apollonit, Babis Tenes, bën shenjë që sulmuesi shqiptar të zëvendësohej. Ky zëvendësim i papritur ishte befasues për të gjithë dhe sidomos për vetë Bushin, i cili, duke lënë fushën e lojës, i dëshpëruar në kulm, heq fanellën dhe ia hedh trajnerit, duke krijuar një rast të veçantë për stadiumet greke. Edhe pse gjesti ishte disi i papranueshëm, tifozët vendas i dhanë të drejtë shqiptarit. Ata akuzuan trajnerin për ndërrimin e pavend që bëri.

Alban Bushi ishte vërtet një lojtar mjaft i mirë dhe Apolloni e kishte atë të domosdoshëm në përbërje të tij. Mirëpo në skenë doli Liteksi, skuadra e panjohur bullgare, që kërkonte të ngjitej në majën e futbollit të këtij vendi. Ajo filloi të shpenzojë për të marrë lojtarët që i duheshin dhe njëri prej tyre ishte Alban Bushi.

Përpara shumave të mëdha, që ofruan bullgarët për marrjen Bushit, presidenti i Apollonit, Alemanos, "kapitulloi". Dhe qysh atëherë, "Loku" nisin turin ballkanik. Ai luajti për dy sezone në Bullgari, me Liteksin, dhe që nga viti 1999 e deri në 2004, Bushi u bë "turk", teksa luajti për skuadrat Adanaspor, Istanbulspor e Trabzonspor, për të veshur më pas fanellën e Dinamos së Tiranës, në fazën e dytë të sezonit 2004-2005.

Rikthimi i "Lokut" në kampionatin grek ishte po ashtu i papritur. Sidoqoftë, shtypi vendas e ka pritur mjaft mirë ardhjen e tij te Levadhiakos. Por Bushi, pas ardhjes në Livadhia, bëri edhe një "ekskursion" drejt Gjermanisë, për t'u kthyer sërish tek të jeshilët.

Presidenti Janis Kobotis dhe trajneri Takis Lemonis ranë dakord që ta pranonin Bushin, duke besuar në vlerat e tij të shfaqura në klubet, ku kishte luajtur dhe me ekipin kombëtar të Shqipërisë. Bushi u bë pjesë e Levadhiakosit, por edhe i Apollon Kallamariasë. 120 ndeshjet që zhvilloi në kampionatin grek kishin shkëlqimin e tyre, jo vetëm se 35 golat mbajnë firmën e Bushit, që shënonte ndaj ekipeve të mëdha, si Olimpiakos, Panathinaikos dhe AEK.
Ka për t'u kujtuar gjatë ndeshja midis Apollonit të Kallamariasë dhe Panathinaikosit. Takimi i luajtur në Selanik ka qenë i ashpër dhe plot nerva, aq sa gjyqtari i takimit, Thanasis Briakos, është detyruar të nxjerrë dy kartonë të kuq e të japë dy penallti. Gjyqtari i njohur është cilësuar nga mediat vendase si protagonisti negativ i kësaj ndeshjeje.

Bushi ka shënuar në minutën e 90-të, duke ngrirë buzëqeshjen e Panathinaikosit, pikërisht në minutën e fundit. Në fakt, ka qenë një penallti e paqenë në favor të vendasve, por që është shfrytëzuar mjeshtërisht nga sulmuesi shqiptar, i cili ka gjuajtur fort, në krahun e kundërt të portierit Ebede, duke shënuar golin e artë për ekipin e tij.

Me këtë gol, Apollon Kallamaria është strehuar në mesin e artë, ndërkohë që goli i tij i ka hequr ndoshta përfundimisht Panathinaikosit pretendimet për vendin e dytë dhe rrjedhimisht për një vend në "Champions League".

Kulmi i acarimit ka qenë pikërisht në fundin e këtij takimi emocionues. Pas shënimit, Alban Bushi ka vrapuar për të festuar gëzimin e golit, duke treguar me duar numrin e tij 20, por më vonë nuk u ka shpëtuar dot ngacmimeve të futbollistëve të Panathinaikosit dhe të tifozëve të tyre.

Kthimi i bërrylit në mënyrën domethënëse e ka acaruar edhe më shumë situatën në stadiumin e Apollon të Kallamariasë. Tek kujton ato çfarë shkruante shtypi grek për futbollistin tonë, nuk gabon kur thua se Alban Bushi ishte kthyer në një emër, që të ngjallte respekt, ngjallte frikë për trajnerët e mbrojtësit kundërshtarë, gëzim e krenari për të gjithë shqiptarët.

Me 59 ndeshjet e zhvilluara, ai është ndër 5 futbollistët më të njohur shqiptarë, që ka veshur më shumë fanellën kuqezi të kombëtares sonë. Me 14 golat e shënuar, Bushi është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për ngjyrat e kësaj kombëtareje.

Ai është i vetmi futbollist shqiptar, që është shpallur 2 herë kampion me fanellën e një skuadre të huaj. "Loku" është i vetmi futbollist shqiptar, që është shpallur edhe futbollisti më i mirë i huaj në një kampionat të fortë, siç është Bullgaria.

- Karriera e Alban Bushit

Skuadrat Ndeshje Gola
1989-1994 SK Tirana 20 14
1994 Szeged 20 7
1995-1996 SK Tirana 2 3
1995-1997 Flamurtari 16 7
1997-1998 SK Tirana 5 7
1998-1999 Apollon Smyrni FC 13 3
1999-2000 Liteks Lovech 37 14
2000-2002 Adanaspor 29 10
2001-2003 Istambulspor 45 16
2003-2005 Trabzonspor 12 0
2003-2005 Istambulspor 51 10
2004-2005 Dinamo 14 5
2005-2006 Levadhiakos 22 8
2006-2008 Apollon Kallamarja 41 13
2008-2010 Levadhiakos 19 1
- Karriera me përfaqësuesen
Ndeshje Gola
1995-2007 67 14
- Trofetë e fituar:
2 tituj kampion
1 herë "Këpuca e artë" (21 gola)
1 herë futbollisti më i mirë i huaj në Bullgari me Liteksin.


Publikuar: 23.11.2010 | 04:18
Lexuar: 1391 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime