E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Udhëtoi shumë për të njohur gjithçka më nga afër, më në detaj, gjithçka prej Ballkanit. Shqipërinë e njohu gjithashtu. Shumë pikturoi edhe prej saj.
Një rrëfim për shqiptarët e piktorit serb
















Një gjë është e sigurt: suksesin ai e fitoi duke pikturuar me mjaft realizëm skena nga jeta e rajonit prej nga vinte, Ballkanit. Nëpërmjet artit të tij, solli diçka ndryshe, skena dhe ngjyra të një bote e cila gjithnjë e më shumë shtonte kureshtjen e Europës plakë.

Solli në vëmendje jo vetëm Serbinë, nga ku kishte origjinën, por edhe Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën etj. Përcolli në Perëndim një Ballkan plot ngjyra, ua shoi kureshtjen me detaje nga folklori, traditat e zakonet, nuk la pa përmendur dhe shpirtin luftarak, por edhe vuajtjet e tyre. Udhëtoi shumë për të njohur gjithçka më nga afër, më në detaj. Shqipërinë e njohu gjithashtu. Shumë pikturoi edhe prej saj.

Janë të njohura pikturat që vijnë nën titullin "Albanian Smoking" ("Duhanpirësi shqiptar"), "Albanian sword dance" ("Vallja shqiptare e shpatave"), "The Albanian Duel" ("Dueli shqiptar") etj. Të gjitha vijnë me ngjyra, e të kujdesura deri në detaj, sepse ai mbante ngaherë shënime për gjithçka e për ngado ku shkonte, e shënimet i shoqëronte përherë me skica. Nuk donte të linte asgjë mangët në kompozimet, portretet e peizazhet që sillte për dashamirësit e pikturës.

Për aftësitë e tij, Paja Jovanoviç është cilësuar si një piktor me njohuri mjaft të mira të teknikave të pikturës. Veprat e tij, edhe pse janë më shumë se 100-vjeçare, shfaqen ende të qëndrueshme dhe të pandryshuara. Kryesisht ato përbëhen nga pigmente që kanë pasur një përdorim të gjerë në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX. Gjen shpesh të kuqen, të verdhën, blunë, me të gjitha tonalitetet e tyre; ngjyrat e tokës, kryesisht ngjyrën kafe e të gjelbër etj. Udhëtimet e shpeshta janë një faktor i rëndësishëm në krijimtarinë e tij.

Ndikimet prej vendeve e natyrës, personazheve e detajeve që përcjell në çdo pikturë, janë të dukshme dhe të ndjeshme në krijimtarinë e tij. Paja Jovanoviç, lindi në Vrsac, në vitin 1859. Këtë vit, Serbia feston 150-vjetorin e lindjes së piktorit të njohur. Ky vit i përket atij. Gjatë gjithë këtij viti do të çelen ekspozita në nder të tij në qytete si Vrsac, Beograd dhe Novi Sad. Festimet e këtij jubileu të lindjes së Jovanoviçit kanë nisur zyrtarisht pikërisht ditën e lindjes së tij, më 16 qershor, me ekspozitën "Pikturat e Ballkanit" në Vrsac, ku përfshihen edhe vepra kushtuar Shqipërisë.

Ekspozita u ndërtua në bashkëpunim me Muzeun Popullor të Beogradit dhe atë të Vrsacit. Në këtë ekspozitë u përfshinë tablotë më të rëndësishme të Jovanoviç, me të cilat ai u bë i famshëm në të gjithë botën dhe u cilësua si një artist i rëndësishëm i kohës kur jetoi.

Ekspozita qendrore është lajmëruar se do të zhvillohet në fund të këtij viti në Galerinë e Akademisë Serbe të Shkencës dhe Artit në Beograd, ku do të ekspozohen rreth 100 tablo, ndër më përfaqësueset e krijimtarisë së tij të pasur. Publiku do të ketë rastin të shikojë edhe veprat e lidhura me jetën e popujve të Ballkanit, kompozimet historike, ilustrimet e këngëve popullore epike, portrete, peizazhe etj.

Veç tablove të njohura, pjesë e koleksioneve të muzeve, ekspozita përfshin edhe vepra të koleksioneve private. Ekspozita e tretë në kuadër të festimeve me rastin e 150-vjetorit të lindjes së artistit është titulluar, "Gratë në krijimet e Paja Jovanoviç", e cila pritet të mbahet në mars të vitit 2010 në Novi Sad.

Në këtë ekspozitë do të përfshihet një segment tematik i rëndësishëm me të gjitha fazat e veprës artistike të Jovanoviçit. Ndërkaq nuk do të mungojnë edhe publikime të ndryshme, përfshi këtu edhe monografinë "Paja Jovanoviç 1859-1957", autor i së cilës është historiani i njohur i artit serb, Nikola Kusovaç.

Kjo është monografia e parë e botuar mbi Jovanoviç, ndërsa është parashikuar që të ketë edhe një botim në gjuhën angleze në vitin 2010. Të gjitha aktivitetet në kuadër të këtij viti jubilar do të përmbyllen në qershor të vitit 2010 në Vrsac. Piktori vinte nga një familje ku artin e kishin përzemër. I ati, Jovanoviç Stevan, ishte fotograf. Paja e kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme në qytetin e lindjes. Pikërisht aty u njoh me pikturën, kryesisht atë kishtare. Mësimet e para në pikturë i mori prej mësuesit të tij, Vodecki.

Kur mbushi 15 vjeç, i ati vendosi ta regjistrojë në Akademinë e Arteve të Bukura të Vjenës. Pasi përfundon studimet në vitin 1880 nis kursin e pikturës me Leopold Carl Miller, i njohur si "Orientalisti". Pikërisht gjatë qëndrimit në Vjenë ai pa dhe kuptoi se Europa kishte një interes të madh për Ballkanin. Ishte kjo një nga arsyet që e shtynë piktorin të sillte në vëmendje skena nga jeta e shqiptarëve, malazezëve, serbëve e boshnjakëve. Dhe ishte një gjetje, sepse kjo mënyrë të pikturuari i solli atij një famë të madhe në botë.

Ndërmori shumë udhëtime nëpër Ballkan. Vizitoi nga afër vendet, njohu traditat dhe zakonet e tyre, çka i pasqyroi me ngjyrat e forta në pikturat e tij. Për këtë arsye, Jovanoviç në vitin 1882, për pikturën e titulluar "Malazezi i plagosur", u nderua me çmimin e Akademisë së Vjenës, si dhe iu dha bursa për studimin mbretëror.

Publiku, por edhe shumë kritikë të artit, e drejtuan vëmendjen drejt piktorit të ri serb. Në vitin 1883 ai nënshkroi një kontratë me galerinë e Londrës. Nuk rreshti së udhëtuari. Ishin udhëtimet që i sillnin frymëzimin. Pas Ballkanit, ai shkoi më tej në Kaukaz, Marok, Egjipt, Turqi, Itali e Spanjë.

Një numër i madh skicash, shënimesh dhe studimesh, së bashku me objektet e mbledhur nga jeta e njerëzve të thjeshtë, do të gjejnë vend në kompozimet e Jovanoviçit. Qysh prej vitit 1893 ai u shpall anëtar i Akademisë Mbretërore serbe. Paja Jovanoviç kaloi shumicën e kohës në studion e tij në Vjenë, ku u vendos, dhe herë pas here vizitonte Beogradin, qytet të cilin e dashuroi me shikim të parë.

Pavarësisht punëve dhe angazhimeve të mëdha që shpesh e detyronin të lëvizte jashtë kufijve të vendit të tij, Beogradi mbeti për të qyteti ku kthehej gjithnjë. Paja Jovanoviç ndërroi jetë në vitin 1957, në Vjenë. Sipas dëshirës së tij, trupi u kthye në Beograd. /gazeta shqip/


Publikuar: 18.10.2009 | 03:46
Lexuar: 4053 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime