E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Me këtë aktivitet Kosova renditet në mesin e shteteve evropiane, të cilat kanë apo janë duke kujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme që ndryshoi rrjedhën e qytetërimit botëror deri në atë kohë.
Konstandini i Madh, perandori romak i dalë nga trungu dardan










Në fillim të shtatorit, nën organizim të Ipeshkvisë së Kosovës, ndihmuar edhe nga institucionet e tjera, do të mbahet simpoziumi shkencor "Edikti i Milanos dhe Konstandini i Madh", për të kujtuar 1700-vjetorin e Ediktit të Milanos dhe atë që vulosi këtë dokument Perandorin Romak, Konstandinin e Madh. Simpoziumi do të mbahet nga 3 deri më 5 shtator në Prishtinë. Me këtë aktivitet Kosova renditet në mesin e shteteve evropiane, të cilat kanë apo janë duke kujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme që ndryshoi rrjedhën e qytetërimit botëror deri në atë kohë.

Aktivitete shkencore për të kujtuar 1700-vjetorin e Ediktit të Milanos do të organizojë edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës në fillim të dhjetorit, me temë, "Konstandini i Madh dhe Krishterimi". Edikti i Milanos shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të qytetërimit botëror. 1700 vjet më parë Perandori ilir i Romës, Konstandini ( Flavius Valerius Constantinus), përmes një dokumenti që njihet si Edikti i Milanos, legalizoi liritë fetare duke bërë kështu që krishterimi të ketë një përdorim publik dhe brenda një kohe të shkurtër të bëhet edhe fe zyrtare në gjithë perandorinë. Në mbarë globin dhe sidomos në vendet evropiane-latine është duke u festuar kjo ngjarje, duke u rikujtuar edhe figura e Perandorit Konstadin.

Aktivitetet

Në një prononcim për "Kosova Sot", ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, ka thënë se edhe populli i Kosovës i është bashkuar festimi të 1700-vjetorit të Ediktit të Milanos. Sipas tij, Edikti i Milanos i shpallur nga perandori ilir i Romës, Konstandini, shënon edhe një fillim të ri të qytetërimit evropian. Imzot Gjergji ka pohuar se në simpozium do të marrin pjesë studiues të ndryshëm vendës dhe të huaj, të cilët do t'i shpalosin prurjet të reja mbi këtë ngjarje të rëndësishme dhe për vetë figurën e Konstandinit të Madh. Sipas tij, janë tri shtylla që do ta karakterizojnë këtë festë shumë të rëndësishme, së pari zyrtarizimi i krishterimit dhe liria fetare, së dyti, sipas tij, është mjaft e rëndësishme që të potencohet lidhshmëria e Konstandinit me popullin shqiptar. "Duhet të jemi krenarë që Konstandini ka dalë nga trungu dardan dhe ta vlerësojmë kontributin e tij për qytetërimin dhe paqen mes njerëzve", ka thënë imzot Gjergji. Ndërsa, ka shtuar se figurën e Konstandinit e ka karakterizuar toleranca fetare, tolerancë që, sipas tij, është trashëguar nga pasardhësit e tij deri në ditët tona. "Me Ediktin e Milanos perandori Konstandin dëshmoi një tolerancë fetare, mes paganëve dhe të krishterëve, tolerancë e cila është përcjellë si vazhdimësi pastaj mes të krishterëve dhe myslimanëve deri në ditët e sotme", ka pohuar Dodë Gjergji për "Kosova Sot". Simpoziumi shkencor që do të mbahet në shtator do të mbështetet edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme. Në një prononcim për "Kosova Sot", Artan Behrami, këshilltar për media i ministrit të jashtëm, Enver Hoxhaj, ka thënë se kjo mbështetje është e bazuar në premtimin që Ministri Hoxhaj ia ka bërë personalisht ipeshkvit, imzot Dodë Gjergji. "Në tërë botën po festohet 1700-vjetori i Ediktit të Milanos së Perandorit Konstandin. MPJ-ja mbështet institucionet në organizimin e një manifestimi shkencor që hedh më shumë dritë mbi këtë perandor ilir, pasi priten edhe shumë mysafirë të njohur nga jashtë vendit", ka thënë Behrami. Simpoziumit do t'i bashkohen edhe studiuesit e institucioneve tona shkencore, të cilët përmes kumtesave të tyre do të sjellin prurje të reja shkencore për figurën e Konstandinit.

Vendimet e sundimtarëve me rrënjë ilire

Një aktivitet tjetër shkencor që do të mbahet për të kujtuar Ediktin e Milanos do ta mbajë edhe IAP-i në muajin dhjetor të këtij viti. Dr. Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor në IAP, ka thënë për "Kosova Sot" se me rastin e 1700-vjetorit të Ediktit të Milanos (313), IAP-i planifikon që në gjysmën e parë të dhjetorit të këtij viti të organizojë një aktivitet shkencor me temën "Konstandini i Madh dhe Krishterimi". Sipas tij, ky aktivitet shkencor do të përpiqet t'i shtjellojë proceset historike të cilat sollën deri te Edikti i Milanos, si dhe rëndësinë që ajo pati në rend të parë për banorët ilirë të Perandorisë Romake, e pastaj edhe për strukturën sociale, ekonomike e politike të këtij konglomerati popujsh, gjuhësh e besimesh. "Konstandini i Madh dhe Krishterimi' do të ngërthejë një temë me shumë rëndësi jo vetëm për të kaluarën ilire-arbërore-shqiptare, por dhe për historinë ballkanike e atë botërore. Interesimi ynë për këtë aktivitet shkencor buron nga fakti se ilirët në këtë periudhë historike, përfaqësonin një popullsi tanimë të integruar në Perandorinë Romake", ka thënë Lajçi, duke shtuar se, vendimet që morën sundues e shumtë romakë me origjinë ilire, do të përcaktonin fatin e mëvonshëm të qytetërimit evropian e botëror.

Kush ishte Konstandini?

Studiuesi Lajçi ka thënë se Konstandini i Madh ishte lindur në Naissus (Nishi i sotëm në Serbi). Ai ishte themelues i Kostandinopojës, si dhe i Ediktit të Milanos të vitit 313, kohë kur ky perandor kishte legalizuar Kishën e krishterë në botë. "Ai ngriti pallatin e Shën Pjetrit në Romë, që më vonë do të bëhej selia papnore, ndaloi dënimin me vdekje në kryq, luftën e gladiatorëve, vendosi të drejtën e trashëgimisë, nxori dekretin për ndihmë dhe mbrojtje të jetimëve, të varfërve, vejushave etj", ka thënë Lajçi. Sipas tij, ky perandor reformoi rrënjësisht botën në aspektin e besimit dhe luftimit të dobësive të saj të deriatëhershme. Në vitin 325, ka shtuar Lajçi, ky perandor legjendar zhvilloi koncilin e parë ekumenik të Nikeas, ku u formulua doktrina kryesore e fesë, ajo e Trinisë së Shenjtë. "Konstandini i Madh hodhi themelet e kulturës dhe të qytetërimit evropian", ka thënë Lajçi.

Publikuar: 18.08.2013 | 18:49
Lexuar: 1667 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet
Driton Bakija Gjakove (21/08/2013 08:25:08) Shkrim i mire.

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime