E hënë, 10.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë se ndjehet mirë që në mënyrë cermoniale dhe kaq të organizuar bëhet ndarja e librave për biblioteka komunale.
Qendra ‘mbush’ bibliotekat komunale



Jakup Krasniqi, Honore de Balzak, Kujtim Shala, Jeta e Re, dhe emra të shumtë të tjerë, janë nisur nga Prishtina nëpër qendrat komunale të Kosovës. Bibliotekat komunale në Kosovë vazhdimisht janë ankuar dhe ankohen për mungesë të fondit të librave. Por të enjten, Ministria e Kulturës ka ndarë rreth 5000 libra për tridhjetë biblioteka komunale.

Disa nga komunat që kanë përfituar nga ky donacion janë Rahoveci, Gjakova, Klina, Gjilani, Artana, Shtimja, Juniku e disa të tjera.
Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka thënë se ndjehet mirë që në mënyrë cermoniale dhe kaq të organizuar bëhet ndarja e librave për biblioteka komunale.

“Që nga fillimi i mandatit i kemi dhënë rëndësi shtimit të mbështetjes për të gjitha fushat e kulturës, dhe padyshim mbështetja për librin ka qenë një ndër prioritetet qendrore”, ka thënë Krasniqi. Ai ka shtuar se ky financim nga ana e ministrisë të cilën ai e drejton, është kryesisht me tituj të rinj, të botuar në dy vitet e fundit me financim nga po kjo ministri. Përmës kësaj mënyre të financimit të komunave, Krasniqi thotë i ndihmojmë edhe shtëpitë botuesë në Republikën e Kosovës

“Ne kemi mbështetur dhe do të mbështesim bibliotekat komunale, të cilat padyshim që ballafaqohen me vështirësi, veçanërisht nga koha kur kanë kaluar komplet në autoritetin lokal”, tregon ministri Krasniqi.

Ndërkaq, Kamoran Goranci, drejtor i departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se janë ndarë rreth 5 mijë dhe janë 70 mijë tituj, që të gjithë të financuar nga MKRS-ja.

“Është hera e parë që Ministria e Kulturës e bën një eveniment të tillë ku shpall edhe konkurs publik për të shpërblyer dhe për të bërë pasurimin e bibliotekave të komunave të Kosovës me libra e tituj të nevojshëm”, ka thënë Goranci.

Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ka vlerësuar lartë nismën e Ministrisë së Kulturës, derisa ka shtuar se edhe bibiloteka të cilën ai e drejton ka ndihmuar bibliotekat e komunave të Kosovës.

“Shumë biblioteka të Kosovës nuk kanë fonde të mjaftueshme për pasurimin e koleksioneve të tyre, madje duke ditur faktin se këto janë botime të reja, natyrisht një pjesë e madhe e këtyre biblotekave nuk i kanë këto botime”, është shprehur Bashota.

Engjëll Berisha, drejtor i bibliotekës rajonale në komunën e Gjakovës, ka përshëndëtur këtë iniciativë të ministrisë, derisa ka folur për pasurimin e nevojshëm që ka kjo bibliotekë.

“Nevoja për pasurim të fondit librar është shumë e madhe, është e përditshme, dhe do të thoja se edhe nuk po arrihet të plotësohet aq sa kemi nevojë, por çdo donacion, çdo libër që marrim i gëzohemi ne, lexuesi më shumë se ne”, është shprehur Engjëll Berisha.

Tahire Behluli, menaxhere në bibliotekën e Therandës, është shprehur se mungesa e librave në këtë bibliotekë janë të dukshme, sidomos e atyre shkencore, duke shtuar se në këtë vit deri më tani janë të regjistruar 1200 lexues.

“Jemi shumë mirënjohës ndaj Ministrisë së Kulturës, sepse deri më tani as Ministria dhe as institucionet e tjera nuk kanë qenë të interesuara t’i ndihmojnë bibliotekarët”, ka thënë Behluli.

Ismet Llolloni, nga bibloteka “Din Mehmeti” e komunës së Junikut, tha se biblioteka e tyre nuk është aq e pasur me libra, dhe çdo iniciativë të tillë ai e sheh si ndihmë të nevojshme për bibliotekën.

“Kjo është një iniciativë e qëlluar sepse dihet mirë buxheti komunal, sidomos i komunës tonë që ka një buxhet shumë të vogël, kështuqë kjo është një ndihmesë shumë e madhe” ka thënë Llolloni.

Publikuar: 09.09.2013 | 09:38
Lexuar: 882 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime