E hënë, 10.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Qëllimi i këtij festivali është që pjesëmarrësit e tij, nëpërmes aktiviteteve të larmishme t’u bëjnë homazhe të parëve të tyre, të ofrojnë secilit prej nesh momente festive, por edhe të nostalgjisë për të kaluarën.
Paraqitje e denjë e kulturës së lashtë ilire në Gjenevë
Përderisa civilizime të ndryshme botërore kanë mbyllur kulturën e tyre të lashtë në sirtarët e muzeve të historisë kombëtare, pasardhësit e ilirëve në shtetin e Zvicrës bëjnë që kultura e tyre ende të bëjë jetë aktive. Prandaj, mund të themi se ajo sot është një bërthamë e shëndoshë që kultivohet me shumë kujdes në mërgatë. Festivali ndërkombëtar i dokeve të lashta, mbajtur në Gjenevë nga 1 deri më 3 nëntor të këtij viti, është një simbol i paqes, i shpërndarjes së përvojave, i shkëmbimeve të ndërsjella dhe të solidaritetit, i organizuar nga Shoqata e Shkëmbimeve Socio-Kulturore (l’Association Echanges Socio-Culturels) në bashkëpunim me partnerë lokalë, kombëtarë e ndërkombëtarë që veprojnë për zhvillim, llojllojshmëri kulturore dhe dialog ndërmjet civilizimeve të ndryshme shoqërore.

Qëllimi i këtij festivali është që pjesëmarrësit e tij, nëpërmes aktiviteteve të larmishme t’u bëjnë homazhe të parëve të tyre, të ofrojnë secilit prej nesh momente festive, por edhe të nostalgjisë për të kaluarën. Me vetë praninë e tyre aktorëve të këtij festivali u krijohet një vend ku bëhen shkëmbime ndërkulturore, ku zbulohet historia kulturore e një shteti pa qenë i detyruar të “udhëtohet me kilometra” deri tek ai, transmeton albinfo. Pos tjerash, në këtë festival qëllimi i tij arrihet edhe kur shoqata të ndryshme me vetë pjesëmarrjen e tyre çmojnë vlerat tradicionale, i krijojnë ato dhe i ruajnë me xhelozi kudo që të jenë. Është dëshmi, ashtu edhe siç është vetë qëllimi i këtij festivali, se nëpërmes paraqitjes skenike të vlerave kulturore të civilizimeve të ndryshme shoqërore, grupet artistike përcjellin diturinë e brezave dhe krijojnë ura këmbimi mes gjeneratave.

Në një festival të tillë, vendtakim ku gërshetohen shumë kultura, ku mundësohen e lehtësohen komunikimet dhe mirëkuptimet, ishin të pranishme edhe Kosova e Shqipëria.

Më saktësisht, kësaj radhe festivali mbante titullin “Për nder të Kosovës, homazh të parëve tanë”, i cili ka për qëllim të zgjojë kureshtjen tonë, të reflektojë një mendim të frytshëm mbi tradita të ndryshme qofshin ato në nivele ekonomike, sociale dhe kulturore.

Nëpërmes një programi të larmishëm nga fusha të ndryshme, kryesisht nga arti dhe kultura, ky festival ka sjellë për artdashësit e tij një ekspozitë të fotografit dhe kameramanit shqiptar z. Klevi Terpinit, i cili përpos që i ofron publikut një reportazh të shkurtër filmik mbi kulturën shqiptare, ai ofron edhe një mozaik të pasur të fotografive me tematikë nga natyra shqiptare, vendet historike dhe veshje tradicionale. Z. Terpinin e takuam gjatë përmbylljes së festivalit, i cili ishte ndarë shumë i kënaqur nga kritika e artdashësve gjenevas dhe thotë se fotografitë e tij të ekspozuara do t’ia dhurojë festivalit në fjalë. Nëpërmes “syrit magjik” ai kishte përcjellë festivalin që nga dita e parë dhe përgjigjet me kënaqësi që të ofrojë për lexuesit e albinfo-s një sërë fotografish që ilustrojnë më së miri këtë ngjarje. Ekspozitën e veshjeve tradicionale e kishte ndihmuar edhe znj. Mira Bregu, sekretare e dytë në misionin diplomatik të Shqipërisë në Gjenevë, e cila për albinfo-n thotë se ndjehet shumë e lumtur kur asaj i jepet rasti që të mund të investojë nga koha apo vetja e saj për të promovuar kulturën tonë të lashtë kombëtare.

Në pasditen e 1 nëntorit festivali ka realizuar disa konferenca të moderuara nga z. Raymond Zoller, në të cilën specialistë të fushave politike, kulturore dhe humanitare shkëmbyen nga përvojat e tyre profesionale dhe sollën te të pranishmit njohuri të reja. Të pranishmit në konferencë kishin rast të dëgjojnë z. Mehmet Elezin, ambasador i Shqipërisë në Zvicër, z. Naim Malajn, ambasador i Kosovës në Zvicër, znj, Mireille Grosjean, kryetare e Shoqatës zvicerane të Esperantos, znj. Filloreta Kodra, përfaqësuese e Shqipërisë në misionin e përhershëm diplomatik shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, znj. Anne Duvinhneau-Ansermet, përgjegjëse e Konservatorit të mjekësisë tradicionale etj.

Dy ditë rresht Kosova ishte e pranishme në festival, duke u përfaqësuar nga grupi kulturor “Gëzuar”, grup ky që përbëhet nga të rinj dhe të reja shqiptare, të gjeneratës së dytë apo edhe të tretë që jetojnë në Gjenevë. E veçanta qëndron në identitetin e tyre kulturor, janë kryesisht studentë në kolegje apo universitete të Gjenevës, të cilët me kuriozitetin më të madh që mund të ekzistojë kërkojnë të njohin, të kultivojnë dhe të promovojnë kulturën e të parëve të tyre, e cila është medoemos çelësi i njohjes së vetvetes dhe afirmim në civilizimin evropian të shekullit XXI që hap dyert e sukseseve ndërkombëtare.

“Gëzuar” është shembulli i integrimeve kulturore, është pasuria e shoqërisë gjenevase dhe shqiptare të Gjenevës, është krenaria e prindërve që ngjallën tek ata dashurinë për kulturën e të parëve të tyre dhe patjetër se “Gëzuar” është suksesi që kurorëzohet çdo ditë nga puna e koreografit tonë, Xhemali Berisha.

Puna e tyre serioze dëshmon se nuk është e rastit pse këta të rinj dhe të reja dinë të na “çojnë” në regjione të ndryshme shqiptare të të gjithë Ballkanit, duke bartur mbi shtatin e tyre të njomë veshje tradicionale me një elegancë dhe krenari të pashoqe. Vallëzimi i tyre në skenë ka emër, ata dinë të përshkruajnë jo vetëm me ritëm, por edhe me shumë emocione vallet e Karadakut, të Tropojës, të Drenicës, etj.

“Gëzuar” në mbrëmjen e 2 nëntorit dëshmoi edhe aftësitë e tyre muzikore kur në skenë qëndrojnë dhe demonstrojnë ritme e zëra edhe të muzikës tradicionale të Zvicrës qendrore.

Këngët “Yodel” zvicerane, të interpretuara nga znj. Barbara Klossner, shoqëruar po ashtu nga vegla të lashta muzikore, bënë që skena dhe publiku të komunikojnë lirshëm, të gjithë këndonin, të gjithë qeshnin dhe të gjithë mësuan diç të re !

Deri në orët e vona të natës festivali merrte frymë nën ritmet e muzikës tradicionale të të katër anëve të globit. Drejtoresha e Shoqatës Socio-Kulturore, znj. Dalida Vionnet, iniciatore e këtij festivali, thotë për albinfo-n se synimi ynë është që në të ardhmen të krijojmë një Shoqatë Socio-Kulturore që përfshinë në gjirin e saj komunitete të ndryshme që jetojnë dhe veprojnë në Gjenevë, të cilat edhe kanë një potencial të jashtëzakonshëm dhe i sjellin kantonit të Gjenevës një pasuri të rrallë kulturore, për të cilën ne vetë duhet të kujdesemi dhe ta promovojmë për t’ua përcjellë tutje gjeneratave të reja që vijnë pas nesh.

Koordinatore dhe planifikuese e këtij festivali, znj. Vionnet thotë se kontakti i parë me grupin „Gëzuar“ i ka mundësuar asaj jo vetëm të zbulojë kulturën shqiptare, por edhe njohjen e disa shoqatave të tjera, siç janë ComAlb e UPSH-ja, të cilat më pastaj janë angazhuar që prezantimi i kulturës shqiptare të paraqitet siç është më së miri. Dalida falënderon z. Nexhmedin Ilazin, producent i grupit „Gëzuar“, që i ka ndihmuar asaj në realizimin e këtij projekti aq të dëshiruar prej saj, në të cilin artistët kanë shkëlqyer për një moment.

Festivali në fjalë kishte edhe dobësitë e tij. Programi i datës 3 nëntor është anuluar. znj. Vionnet thotë se na kanë munguar mjete materiale për të zhvilluar një komunikim të duhur mediatik, gjë që ka rezultuar me një pjesëmarrje shumë të ulët të publikut gjenevas (të pranishëm kishte vetëm 20 deri 30% e kapacitetit fizik të sallës së festivalit). Mirëpo, disa nga të pranishmit në mbrëmje gjykojnë se mungesa e publikut është edhe rezultat i çmimit të lartë të biletës hyrëse (39.-). Por, megjithatë, dhjetë vendet pjesëmarrëse në festival, të përfaqësuara nga qendra kulturore apo edhe individë që veprojnë në Zvicër, Festivalin e parë ndërkombëtar të dokeve të lashta e konsiderojnë si një shenjë të mirë që në të ardhmen mund të zhvillohet dhe të marrë vendin e tij të duhur në shoqërinë shumëkulturore të Gjenevës.

E neve nuk na mbetet tjetër vetëm t’ iu dëshirojmë suksese në të ardhmen !/koha/

Publikuar: 08.11.2013 | 17:09
Lexuar: 1753 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime