E hënë, 10.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Vajzat dhe djemtë e trupës së Baletit Kombëtar të vendit, herë pas here gjatë performancës së tyre “zhdukeshin” nga skena duke u kthyer pas pak sekondash ashtu sikurse tretet dhe kthehet përsëri konflikti i një lidhje ndërmjet gruas dhe burrit, ku në këtë konflikt të pazgjidhur shekullor triumfues del të jetë herë mashkulli e herë femra.
“Kopshti i shpirtrave” shfaq dashurinë dhe konfliktin e çiftit bashkëshortor













Një konflikt në lidhjen e një burri dhe gruaje që përmban dëshirë, dashuri, urrejtje dhe rutinën ditore është paraqitur në mënyrë artistike nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, të enjten në mbrëmje, në premierën e parë për këtë vit, shfaqjen “Kopshti i shpirtrave” me koreografi të balerinës maqedonase Risima Risimkin.

Koreografia “Kopshti i shpirtrave” e ndarë në tetë akte, ka paraqitur para publikut të shumtë në sallën e Teatrit Kombëtar shpirtin, kujtimet, rrënjët, ëndrrat, vallëzimin e disa çifteve.

Vajzat dhe djemtë e trupës së Baletit Kombëtar të vendit, herë pas here gjatë performancës së tyre “zhdukeshin” nga skena duke u kthyer pas pak sekondash ashtu sikurse tretet dhe kthehet përsëri konflikti i një lidhje ndërmjet gruas dhe burrit, ku në këtë konflikt të pazgjidhur shekullor triumfues del të jetë herë mashkulli e herë femra.

Mirëpo, rruga drejt këtij “Kopshti të shpirtrave” është gjithmonë e ndryshme, e re, e panjohur, e jashtëzakonshme dhe gjithmonë unike në labirintet e ndërdijes nga e cila ne zgjohemi, duke mos ditur se ku ishim por vetëm me ndjenjën e pastër të kënaqësisë së arritjes, shkruhet kështu në sinopsisin e koreografisë të realizuar nga Risima Risimkin dhe ndihmuar nga asistenti i saj, balerini Sinan Kajtazi.

Kjo koreografi është mbyllur nga trupa e Baletit Kombëtar, që është duartrokitur gjatë nga publiku, me disa dilema se kush duhet të jetë triumfues në botë, femra apo mashkulli, e mira apo e keqja, e zeza duhet të jetë mbi të bardhën apo mjegulla para qartësisë.

“Kam pasur kënaqësi të punoj më trupën artistike të Baletit të Kosovës dhe personalisht mendoj që kemi punuar për ta pasur një shfaqje sa më të suksesshme përballë audiencës. Megjithëkëtë, i mbetet publikut ta thotë fjalën e fundit rreth kësaj koreografie”, ka deklaruar Risimkin para pak ditësh gjatë një konference për media.

“Kopshti i shpirtrave”, do të shfaqet reprizë të premten mbrëma në orën 20:00, në skenën e Teatrit Kombëtar. Kjo ishte premiera e parë për këtë vit e Baletit Kombëtar të Kosovës, e cila do të qëndrojë tashmë gjatë tërë vitit në repertorin e kësaj trupe artistike.

Publikuar: 07.03.2014 | 11:02
Lexuar: 783 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime