E mërkurë, 12.12.2018
Impresum - Marketing - Arkiva - Kontakt

Yll Press

Përmasa imagjinative, përfshirë vendndodhjen sa edhe kohën e ngjarjeve, romanet e Kadaresë i bën tërheqëse dhe të pranueshme për lexuesit e shumtë. Si të tilla, ato gjithsesi e intrigojnë perceptuesin e tyre, për më tepër e provokojnë atë. Ky provokim i natyrës artistike e intelektuale sa vjen e shtohet për vetë faktin se, ky autor nga vepra në vepër sjell kreacione pothuaj të papara edhe në vetë veprat e tij, si në aspektin e gjuhës, të frazeologjisë, të figurshmërisë, të plasimit të mesazheve etj.
Princi i letrave shqipe













Arti i virtuozit Ismail Kadare, jo rastësisht, sot magjeps lexuesit e tij anekënd globit. Edhe kur lexohen veprat e këtij shkrimtari imponohet një e dhënë e njohur se arti, përveç një talent i lindur, është edhe dije e krijuesit të tij. Ndërkaq, te ky shkrimtar si te rrallë ndonjë tjetër, kjo dije e përmasave universale plekset me imagjinatën e tij të pasur në raportet më optimale.

Tema e ndjekjes, e frikës dhe e frikësimit nga diktaturat, që me aq sens e mjeshtëri e kishin realizuar në romanet e tyre F. Kafka e Xh. Oruell, do ta gjejë trajtimin tjetër adekuat e origjinal edhe te Kadareja, të cilin kritika letrare franceze me të drejtë e ka quajtur edhe arkeolog të diktaturës. Gjetjet e tij të kësaj natyre të shkrimit, me një realizim sa të suksesshëm po aq interesant, zënë fill me "Pallatin e ëndrrave", "Koncert në fund të dimrit", "Piramida" etj.

Këto romane të ideve të mëdha, të formave sa origjinare për esencat problemore e po aq origjinale për mënyrën e realizimit, ekzaminojnë deri në mosqenie anatominë e destruktivitetit njerëzor. Ngjarjet dhe imazhet e këtyre veprave, që janë veçanti e veçantive të letërsisë sonë dhe asaj botërore, në realitetin e tyre artistik sajojnë ambiente, në dukje të parë, të natyrës shqiptare, orientale etj., me një shtimung përrallor.

Kjo përmasë imagjinative, përfshirë vendndodhjen sa edhe kohën e ngjarjeve, romanet e tij i bën tërheqëse dhe të pranueshme për lexuesit e shumtë. Si të tilla, ato gjithsesi e intrigojnë perceptuesin e tyre, për më tepër e provokojnë atë. Dhe, ky provokim i natyrës artistike e intelektuale sa vjen e shtohet për vetë faktin se, ky autor nga vepra në vepër sjell kreacione pothuaj të papara edhe në vetë veprat e tij, si në aspektin e gjuhës, të frazeologjisë, të figurshmërisë, të plasimit të mesazheve etj.

Një aktualitet i përmasave morbide deri në makabritet, fatkeqësisht, i pazvetënueshëm, sidomos në botën shqiptare, porse jo aq i huaj edhe për çdo vend tjetër në cilëndo skutë të dheut, këto vepra i bëjnë të afërta për recipientin e përmendur. Gjuha e tekstit, herë e drejtpërdrejtë e më së shpeshti kontekstuale, bashkë me rrjedhën e zhdërvjelltë të saj, ka bërë që kjo vepër të zgjojë kureshtjen e lexuesit të rëndomtë dhe të atij të specializuar.

1.
Premisa të kësaj natyre, të karakterizuara në veprat e përmendura më lart, doemos se janë edhe përbërësit e romanit "Spiritus", i nëntitulluar me një sinjaturë jokonvencionale: roman me kaos, zbulesë dhe çmërs.

Pjesa e parë e veprës, e titulluar "Kaos", për mënyrën e depërtimit në temën e këtij romani, për gjuhën subtile, për shpalimin e shumë të panjohurave që nga antikiteti të një populli që kishte dalë nga diktatura dhe që po i vuante edhe më pasojat e saj, për zhbirimet psikologjike të natyrës së romanit policor, t'i kujton romanet "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Dosja H" etj.

Këtë univers të tij, kritiku letrar frëng François Maspero do ta quajë “një Komedi Njerëzore të artisur në qiejt tragjik të Ballkanit dhe ish perandorive komuniste. Duke i qëndruar, gjithashtu, besnik asaj që përbën gjithësinë e tij: Kadareizmin”.

2.
Lexuesi i përkushtuar i veprës së Ismail Kadaresë, me leximin e romanit tjetër të tij, "Lulet e ftohta të marsit", do të hetojë se autori vazhdon ta krijojë korpusin e tij romanor, për të mos thënë se ai vijon ta shkruajë një libër (të vetëm). Me këtë roman, ai e përplotëson edhe më tej universin e njohur letrar kadarejan, sidomos për faktin se asnjë vepër letrare si kjo nuk e trajton dramën e thellë të thyerjeve shpirtërore e të mendësisë shqiptare në përtashmëri.

Në kuadër të këtyre thyerjeve, autori me gjuhën e personazheve, kohën e përmendur do ta quajë të papërcaktuar, të pakonsoliduar, kohë hermafrodite (deledashe). Brenda kësaj kohe, prandaj është funksional trinomi poetik që ngrihet në titull romani lulet, ftohtësia dhe marsi. Ky trinom, që në shikim të parë, të kujton diçka që ka dhënë shpirt, diçka që përpiqet të lindë, ose hala më trishtëm, diçka e vdekur që përçapet për t'u ringjallur.

Kompozicioni i romanit "Lulet e ftohta të marsit", duke pasur për temë bosht ngjarjet e Shqipërisë postkomuniste, brenda kuadrit të vet përfshin botën e perëndishme të antikitetit, si simbolikë që i referohet aktualitetit, dhe hapësirën e rruzullimit, duke arritur deri te çuditë e Internetit. Krejt këto bëma, përsiatje, kërkime dhe rrëfime, mitike e reale, sikur përpunohen në laboratorin krijues (shpirtëror) të narratorit të romanit, piktorit Mark Gurabardhi.

3.
Kur e kam lexuar për herë të parë tregimin e Ismail Kadaresë, "Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Namuna", kam menduar me vete: a është e mundur kjo ngjarje të ketë ndodhur në realitet, apo ky krijim është vetëm një trill maestral i këtij shkrimtari? Këtë pyetje nuk kam lënë pa e shtruar edhe kur i kam lexuar romanet e tjera të këtij autori si, "Pallati i ëndrrave", "Dosja H", Qorrfermani" etj.

Besueshmëria ose kredoja ime për realitetin artistik të veprës, kërkimi i fiksionit, si domosdoshmëri e veprës së artit, përjetimi dhe dija ime për veprën artistike, si qenësi e gjuhës së figurshme, mbi të cilën strukturohen ide, pikturohen imazhe etj., nuk më kishte yshtur për të shkuar më tej. Por leximi i një dossier-i (në "Klan", 21 maj 2000) nga Albana Sala me titull "Mister ‘Bjeshkët e Namuna 1900" më bindi se çdo vepër (jo) vetëm e Kadaresë pikëmbështetjen e ka në realitetin jetësor.

Këto marrëdhënie ndërmjet realitetit e fiksionit, për të mos thënë, ndërmjet jetës e veprës artistike, ta kujtojnë mendimin e Dostojevskit, se nuk ka asgjë më fantastike se realiteti dhe atë të Umberto Eco-s, sipas të cilit veprat letrare kanë për qëllim të shprehin ambiguitet ashtu si vetë jeta.

Tregimi i Kadaresë "Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Namuna", për mjeshtërinë narrative dhe unitetin kompozicional, ka elementet e tregimit, të novelës dhe të romanit. Ky krijim i artit letrar, më tepër se çdo lloji tjetër, i përgjigjet novelës, qoftë sipas kritereve klasike, qoftë sipas atyre moderne. Edhe vetë termi novelë (nga lat. Novellus – i ri, që nënkupton një ngjarje të re) i përgjigjet materies konkrete të trajtuar, një ngjarje e vjetër rreth 100 vjet, por e paprekur në letrat tona.

Pikërisht pse është e paprekur nga asnjë penë tjetër, ta imponon emërtimin e llojit të përmendur letrar. Nga një ngjarje (për antologji), nga personazhi (mostër e bukurisë, trimërisë, tipareve burrërore etj.), Ismail Kadare ka krijuar tregimin e tij antologjik. Ai është kërkues, zbulues dhe fisnikërues i shpirtit shqiptar. Një veçanti e pakontestueshme në letrat shqipe dhe në ato të përbotshme.

4.
Mjeshtër i fjalisë elegante, i mendimit të thellë e i rrëfimit dinamik, Ismail Kadare është edhe eseist i shkëlqyer. Pos librave të eseve "Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe", "Eskili, ky humbës i madh", "Legjenda e legjendave" etj., ky shkrimtar botoi edhe esenë e tij brilante "Kushëriri i engjëjve".

Nxitje për përsiatjet e thella eseistike të këtij libri është njëfarë bashkëbisedimi me magjistarin e valleve, siç do ta quajë Kadare balerinin e njohur shqiptar nga Parisi, Angjelin Perlocajn.

Arti i valles, nga ky përimtues do të kundrohet e do të trajtohet, duke u mbështetur në shumë rrafshe: që nga lindja e deri te vdekja, që nga ngritja e njeriut në dy këmbë e deri te gjakimi i fluturimit (mitik – Ikariusi), që nga prangimi i trupit në vetvete (në burgun e brendshëm e në burgun e jashtëm) e deri te liria (vallja, si një trajtë supreme e saj), që nga sistemet diktatoriale e deri te shoqëritë demokratike dhe që nga mikrokozmosi (njeriu) e deri te makrokozmosi (universi).

Dhe këtë nevojë të brendshme befasuese, pra vallen, do ta quajë: i shkrepi në trup ngjashëm me lindjen e mendimit: i shkrepi në kokë. Autori, për harmoninë e lëvizjes (valles) si gjuhë e trupit, do të shfaqë përsiatjet e tij për një art që nuk e thotë fjala, as ngjyra e madje as vetë muzika: një materializim magjepsës i një veçantie jetësore dhe estetike.

(Librat e shqyrtuar për këtë trajtesë: Spiritus, botoi "Onufri", Tiranë, 1996, Lulet e ftohta të marsit, botoi "Onufri", Tiranë, 2000, Konkurs bukurie për burrat në Bjeshkët e Namuna, tregim i botuar në vëllimin "Vjedhja e gjumit mbretëror", botoi "Onufri", Tiranë, 1999 dhe Kushëriri i engjëjve, "Onufri", Tiranë, l999).

KultPlus

Publikuar: 10.04.2014 | 18:20
Lexuar: 1074 herë
Printo PDF format Shto në,..

Komentet

Ndalohet përdorimi i gjuhës denigruese dhe fjalëve ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s`kanë të bëjnë me temën e artikullit. Moderatorët mbajnë të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.
Emri:
Email adresa:
Komenti:















Developed by: Just5 Studio
Rss furnizime